Dita e Verës, një festë në emër të së panjohurës
Orientimi drejt ekstremeve të jetës duket se është rruga më e thjeshtë për ne. Dje propaganda televizive bëhej me atë çka sot quhet paqe në popull, por ajo është shumë larg për një vend me të papunë, të pashpresë, të futur në kurthin e pakuptimësisë. Kështu u shfaq dhe festa e djeshme, ajo e Ditës së Verës, njohur nga mitologjia si ditë e luleve dhe daljes nga ngujimi i të ftohtit. Që në orët e para, turma njerëzish zaptuan bulevardin e kryeqytetit dhe lëvizja ishte e pandalshme, e pavetëdijshme, e tërhequr drejt asaj që quhet një vend për t’u ulur. Në njërin plan shfaqen këngëtarë të ekzaltuar nga prania e kryetarit të Bashkisë, që ndërsa çirren për t’u dëgjuar edhe pak më larg, llogarisin paratë në fund. Kurse në anën tjetër kalvari i njerzëve me trajse dhe mjetet e fikura si në kortezh. Për ta nuk ka shumë problem të dish pse 14 marsi quhet Dita e Verës, historinë e saj dhe pse duhet të gëzohesh. Mjafton futja mes turmës e kështu mund të ndjehesh një festues i devotshëm. Natyra kishte surprizuar për njerëzit një kohë të bukur dhe pesha e rrobeve në trup ishte lehtësuar.
Rrugë me zhurmë; dikush që nuk kuptohet nëse këndon apo qan, të tjerë që flasin me zë të lartë, bori e bilbila si ato në Parlament, nëna të egërsuara, të trembura, fëmijë grindavecë, dikush që lyp dhe ata që shajnë. Po çfarë festojnë?
Në përpjekje për t’u afruar pranë turmës ku dëgjohen më mirë këngëtarët në qendër të Tiranës, një vajzë shan egërsisht. Ecën për krahu me një tjetër vajzë, është e bukur dhe nuk tregon më tepër se 16 vjeçe. Në dorë një tufë mimoza dhe si për ditë vere ka nxjerrë barkun jashtë. Kthen kokën pas dhe nga goja e saj dëgjohen të dalin disa fjalë të frikshme. Dikush duhet ta ketë keqtrajtuar…
Jo shumë larg saj takojmë Mirelën me nënën e saj. Vajza është e rritur, aq sa prania e nënës nuk duket e domosdoshme. Thotë se edhe ajo doli për të festuar “ashtu si gjithë shqiptarët. Nuk di sesi është historia e kësaj feste, por mua më pelqën, mbase mund të kem fat…“. Mirela nuk është e vetmja vajzë e ndrojtur dalë në këtë ditë vere. Shumë të tilla shikohen të jenë me prindër, a me shokë. Janë të shumtë festuesit e ardhur nga periferitë. “Jetoj në Kamëz, por sot vendosa të marr fëmijët dhe erdhëm në Tiranë”, thotë Moza. Për të është e vështirë të angazhohet më shpesh e të nxjerrë vajzat e saj në qytet. “Nuk kemi asnjë mundësi për të pushuar, duhet të fitojmë për të jetuar, por vajzat po rriten dhe ato kanë dëshirat e tyre”, flet gruaja, qëllimi i së cilës për ditën e djeshme kishte lidhje vetëm me argëtimin e të bijave.
E ndërsa turma vazhdon të shkojë para-mbrapa dhe tregtarët shesin ballokumet, jo vetëm ato të Elbasanit, një grua ulëret dhe qan. Duket të kapë njerëz për krahu, kërkon dikë, por kërkon edhe policinë. Mes gjithë atyre njerëzve nuk gjen dot të birin. Gruaja është fare e re, por mënyra sesi ajo thërret të birin, me sytë dhe gojën hapur, me pamjen prej të çmendure është tronditëse. Të tjerë fëmijë u kishin ikur duarve të nënave dhe “humbën”. Sirena policie dhe njerëz me uniforma u vunë në lëvizje. Për fat asgjë e keqe. Çamarrokët ishin zgjidhur dhe tentuan të jenë të lirë, por paniku u përhap shpejt dhe ngado.
Kurse vetëm pak metra më larg te Piramida, fëmijët luanin rrezikshëm në emër të kënaqësisë. Të nxitur nga njëri-tjetri, shumë prej tyre hipnin në majë të Piramidës dhe prej andej lëshoheshin vrullshëm drejt fundit me prapanicën në mermer. Pati prej tyre që u gjakosën dhe i nisën drejt e në urgjercë. Dikush njoftoi se këtë çështje e zgjidhte vetëm policia, e cila më së fundi largoi nga rreziku këta vogëlushë të shfrenuar.
Por duket se rreziku ecën hap pas hapi me ata që duan të festojnë. Në fund të bulevardit, përballë “Rogner”, dy djem të rinj rrihen me grushta. Përreth tyre kureshtarë dhe fytyra të ligështuara. Askush nuk dinte pse po ndodhte. Një grua i afrohet një vajze që po qante. Ajo kishte vënë duart përballë fytyrës dhe rimeli i syve e kishte bërë pis në faqe deri dhe gishtat. Gruaja tregon se njëri nga djemtë ishte i dashuri i vajzës që përlotej dhe kërkonte ndihmë që dikush ti ndante ata. Por kjo nuk ndodhi. Asnjë nuk u afrua te vendi i sherrit. Pas pak mbërritën dy policë dhe gjërat sikur u qetësuan. Turma vazhdoi të lëvizë…
Atëherë kthen kokën pas dhe beson se është pak e vështirë të festosh. Pasiguri rreth e qark, një popull i trembur, që moment pas momenti shfaq shenja histerizmi e që do shumë të qetësohet. Pak shpresa për ditë të bukura pas asaj të Verës.
Orët kalojnë dhe pasditja po mbyllet. Filloi të kishte më tepër hapësirë nëpër bulevard. Këngëtarët kishin pushuar, edhe mjetet e fikuara ishin larguar, grupet e njerëzve ishin me të vegjël. Dielli vazhdoi të ngrohë, pas mbetën ato çka u hodhën dhe pak zhurmë. Kështu u mbyll kjo ditë, që shumëkush e bëri festë. Paskësaj një tjetër do të vijë…
Comments
on your blog, I honestly like your way of writing a blog. I book-marked
it to my bookmark webpage list and will be checking back in the near future.
Please check out my web site too and let me know what you think.
Review my site - blanc
weblog, this web site is truly amazing.
Here is my web site; exchange
My web-site rectifier []