Rendi Publik: Ironia e krimit
Kronologjia e krimeve ditën e djeshme, pas vrasjeve e grabitjeve të bujshme në Tiranë e Durrës, 60 orët e fundit, ironizojnë deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme, i cili reagoi pas akuzave të opozitës për mungesën e sigurisë në vend. “Sot Shqipëria është në nivele më të ulëta kriminaliteti se edhe vetë vendet e Bashkimit Evropian”, tha zëdhënësi i MB. Në përforcim të deklaratës, ai raportoi një shifër të Policisë së Shtetit për zbulim rekord deri në 95% të ngjarjeve kriminale.
Ky pompozitet u shpall menjëherë pasi socialisti Ylli Manjani foli publikisht për humbje të kontrollit të shtetit ndaj veprimtarisë kriminale në territor, ndërsa hakmarrja primitive dhe vetëgjyqësia janë mjetet me të cilat krimi vazhdon të marrë jetën e shqiptarëve.
“Përqendrimi i veprimtarisë antikrim në drejtoritë rajonale të policisë ka bërë që komisariatet e policisë sot janë shndërruar thjesht në kazerma të punësimit të militantëve dhe jo në agjenci shtetërore, që kapin elementët kriminalë”, tha Manjani.
Të dy palët të orientuar politikisht, po përdorin krimin; njëra palë (opozita) për të akuzuar dhe sulmuar, kurse pala tjetër (shteti) për t’u mbrojtur duke publikuar shifra “suksesi”.
Vetë protagonisti i kësaj fushëbeteje politike, krimi, hapur godet frikshëm për të ndëshkuar në fund të fundit vetëm qytetarin. Në fakt, situata nuk është befasuese. Krimi nuk erdhi për të na shokuar një ditë të papritur. Aksidenti me përmasa tragjike i Gërdecit, më 15 marsin e kaluar, me 26 jetë të humbur, shënoi hapur dobësinë e shtetit për parandalim. Por, siç rezulton edhe nga një pyetësor i yni, klasa politike që ishte në dijeni të një aktiviteti me rrezik të lartë, që solli pasoja fatale, nuk ngriti zërin për t’i thënë ndal, duke qenë sot edhe përgjegjësja kryesore në sytë e opinionit publik për atë ngjarje.
Politika vazhdon të luajë një rol sa denigrues për shtetin, aq dhe frymëzues për segmentet e krimit. Institucionet shtetërore jo pa qëllim u vunë në betejë konflikti mes tyre. Pozicionimi i forcave politike pro një segmenti të shtetit dhe kundër një tjetri, solli mosfunksionimin e plotë të tyre. Frika e hakmarrjes politike, kryesisht pas miratimit të ligjit për dosjet, ligjit jo me konsensus të Prokurorisë së Përgjithshme, preku edhe shtetarin më të bindur të administratës shqiptare. Prokurorë dhe juristë, pasi padrejtësisht përgojohen LIVE në TV si vrasës në sistemin diktatorial, zhvishen nga autoriteti dhe detyra i gjen të demotivuar, të dobësuar, të dorëzuar para kësaj klase politike të papërgjegjshme. Tërheqja me shumë hapa mbrapa po bëhet kolektive. Dhe natyrisht ky ishte momenti më i duhur për riaktivizimin e krimit. Filluan larjet e hesapeve për prishjen e pazareve të pista, ekzekutimet mafioze, deri dhe krimet më të frikshme, ato të djegies së kufomave për zhdukje gjurmësh; 12 vrasje në afro një muaj.
Konflikti ende i pazgjidhur i pronave vazhdon të marrë jetë njerëzish; forcat speciale ndërhyjnë në Kakome dhe arrestojnë 15 pronarë. Trafiku i drogës, i prostitucionit, i armëve, kontrabanda paralele me spastrimin e radhëve nga elementët dyshues, kërkon lojtarë të rinj. Paraja e pistë kërkon treg për t’u pastruar. Partitë politike po financohen dhe do të financohen edhe në fushatën e ardhshme elektorale pa u kontrolluar nga një ligj i fortë por me një Kod Zgjedhor gjysmak duke hapur rrugë të reja e të dyshimta mes krimit dhe politikës e parlamentit të së nesërmes, i cili mund të jetë në dorë të oligarkëve të ekonomisë informale.
Siguria për të cilën flet Ministria e Brendshme është shumë larg, të paktën për sa kohë funksionojnë rregullat dhe kodet Mafias.<
Comments