Portret

Ecën në atë rrugë së cilës ia di edhe foletë e milingonave. Vite më parë po në atë shteg u ikte shikimeve. Zërat e zogjve kanë pushuar. Zhurma e ndonjë llamarine makine e gërvisht, larg dëgjohen thirrje babëzie, vijnë përtej mureve të rrugicës së saj si klithmë hijena.
Eshtë muzg. Ajo kërkon fëshfërimën e pemëve, do të flas me to, por dëgjon dihatjen e bagëtive të vetmuara. Vështron drejt perëndimit, pret shkëlqimin e mikut të saj si dikur, të përshëndet për këtë natë, por zemërimi i natyrës në lot i ndriçon asfaltin që pret të kuqet. Vetëm toka, ajo është më e fortë, e zezë, asaj i dhëmbin këmbët. S’ndjen butësinë poshtë shputës, nuk i duhet të ulet për të pastruar ngadalë baltën e më pas ti japë formë zogjsh, kaproj, shtëpish, të ndërtoi përrallën e saj.
Ecën me hapa më të shpejtë, merr frymë thellë, serish thellë, derisa vendos të qetësoj kraharorin që ngrihet e ulet si të njeriut në qeli. Lëviz si një statujë patetike për të treguar legjendën e rremë; koka e ngritur lart në qëndrim sfidues; sytë e mëdhenj me shikim të tejshëm, futet në kohën e shkuar; flokët e shndritshme i bien mbi supe tw pazwshme. Çdo tipar i fytyrës i rrezaton shëndet, vullnet e forcë. Buzët dhe vetullat tregojnë femrën tekanjoze si fëmijën e uritur që i bën naze ushqimit. Kështu do të duket, kështu e shohin më të dashurit e saj. Ndaj ajo vazhdon me madhështinë teatrale për pak qetësi në këtë copë rruge të shkurtër ku takon të vërtetën e saj.
Dhoma e dikurshme tashmë i duket vetëm një kënd, një cep, ku mundet vetëm të ulet, të shikoj. Objektet përreth i kujtojnë përtacinë. Ka dëshirë të ndez një zjarr, të pjek një kafe në xhezven e saj, ti digjen gishtat, të frikësohet se mos i derdhet, por i sjellin filxhanin plot më kafe pis pa shije. Kërkon të gjej një thëngjill, të shkruaj dëshirën në dyshemenë e oxhakut, por i largohet bardhësisë së ngrirë të murit në vetmi. Do të heshtë mes atyre klithmave që i vijnë tek këndi. Zërat e pushtetit, vaji e dërdëllitja e njerëzve e bëjnë të dalë, të futet në errësirë mes për mes botës së ç’pyllëzuar.
Se shoqëron askush, as lulet e dardhës së saj, as hungërima e Xhufit shtrirë te shkallët, as edhe xixëllonjat që duhet të kishin ardhur. Përreth natë e heshtur dhe zhurmë pa pelerinë. Hyn serish në këndin e saj, tashmë zërat janë shtuar. Gra në moshë që bisedojnë për fëmijët, vajza që habitshëm presin tingullin e sms-ve, muzika e ndonjë kënge të panjohur, por që e njofton se dikush po e thërret përtej pamundësive. Atë kohë bëhet heshtje, kurse vajza që pret të flas me të fejuarin kuqet. Kënga vazhdon, ajo kërkon diku një strehëz pa veshë.
Të tjerët vazhdojnë; flasin për presidentë, për kryeministër, për shtete e popuj. Ajo duket sikur jeton në hije, rrinë larg çdo bisede të lodhëshme, nuk ndjehet asnjë tingull, duket sikur ka frikë nga zhurma, provon ankth. U flet ëmbël kur e përshëndesin, afrohet me kujdes pranë tavolinës dhe shikon më vëmendje çdo gjë që i sjellin. I trembet ndonjë ngacmimi nga ushqimi dhe pa zë kërkon diçka tw pa zhurmë, të përtypet pa mundim. Flet ngadalë në tavolinë; si për të kërkuar zë të ulët përtypet si në zakonin e hershëm dhe lutet të mos e pyesin për shkëlqimin e tyre të metropolit.
Pas ngrënies kërkon një cigare a diçka që e çlodh, e freskon dhe tërhiqet. Edhe vajza që ka pushtuar aparatin e telefonit nuk flet....
Përsëri aty te këndi i ngushtë tashmë i varfëruar pa erën e mollëve që dikur embëlsonin muret, rreth orendi të ftohta, njerëz të përgjumur, asnjë shënim a libër, as edhe komoja e vjetër, ku vendoste letrat, mes tyre lule të thara me kujdes, aroma e së cilëve e vinte në gjumin e ëmbël. Në vend të saj, një faqe muri me metalikë të shkëlqyeshme, qelq, kristal, likerna, verë, raki, musht.
Diku në një cep, barna për dhimbje të kokës, zemrës, reumatizmës, barna kundër pagjumësisë; rrethuar në frikë me tërë këtë arsenal helmesh në emër të ndihmës. Pas tyre aroma e industrisë kur shtupohet dyshemeja e sapo shkelur. Asaj i ngacmohet frymëmarrja, ngrihet të arratiset, por s’ka ku.
Kupton se duhet të shkojë të flejë në vendin kur dikur mendonte për Kleopatrën, Helenën, Afërditën, Tesin, për arratitë e pasionin e dashurisë, për poezinë, për personazhet e romaneve e dashuruar deri në thellësi. Mendonte për të moshuarën që çdo mëngjes kthehej nga truma, ngarkuar me bidonë të mbushur me ujë të pijshëm. Mendonte për fqinjët e saj të vegjël, që flinin të uritur, e ajo vjedhurazi fuste në çantën e librave racionin e saj të mëngjesit, për tu turpëruar kur shoqja e bankës ta pyeste se ç’emër kishte ajo çka përtypte me shpejtësinë e ujkut ne uri.
Këtë natë e di se nuk do të ëndërrojë asnjë nga mbretëreshat, mbretërit, perandorët, as për dashuritë e virgjra, as për fqinjën e saj, prej vitesh nuk e ka parë. Ka dëgjuar se ajo jeton diku larg, pa uri; nuk kanë harruar ti thonë se fqinja rrallë viziton rrugicat e fëmijërisë. I kanë thënë se ajo nuk mërdhin nga i ftohti, shumë syresh e kanë parë të zbres gjysmë zhveshur nga makina e shndritshme që nuk mund të futet në rrugicën e ngushtë për tek shtëpia me pamjen sipas bombardimeve në luftë.
Këtë natë ajo do të kujdeset të mos mendoj për motin e keq me shi të cilin e urren, për britmat e kryeqytetit. Do ti thotë ndal mendimit për zhargonet pabese, për mediokritetin dhe stresin kolektiv, për padijen uloke, për zërat e miqve të afërmve të saj në kërkim të vëmendjes.
Më siguri ajo nuk do të harroj sonte shumëçka. Do të vendos kokën në jastëkun poshtë të cilit dikush nuk harron ti vendos degë borziloku të tharë, të mblidhet në një teshë po me aromën e lules së preferuar. Do shpresoj të mbyll pak sytë me mendimin e bukur se dëshmitarë ka shpirtin. Kështu kjo natë dhe vetmi e shenjtë mbështjellin gjumin e saj, të asaj që beson në largimin e territ dhe në muzikën e jetës.

03.04.2009,

Comments

Unknown said…
Romanet klasik e ato realist sigurisht qe kane bere punen e tyre por e rendesishme eshte qe kur i mbyll ato faqe librash ne mendje te te ngelet vetem skema e pershkrimit dhe mbi ate skeme te ndertohet e te hidhet ne te tjera letra ai realitet qe te pershkon e te rrethon ne perdishmeri.
Unknown said…
Nila romantike e përjetshme. Më ka marr malli nila shumë. Akoma e kam poezinë tënde “E shkuar”, fitove çmimin me të. Te kujtohen këto vargje shoqe? “Erdha e shkuar, sërish po shkoj...Më bëre të qaj si 17 vjet më parë. Suksese në krijimtarinë tënde.
Angjelina, Itali
Anila Prifti said…
Angjelin, me kujtohen pak fjale nga ajo poezi e cila ndonese me dha nje çmim, per muaj te tera me krijoj probleme shoqe. Faleminderit qe shkrove vajze, por ti mos u merr teper me ato cka shkruaj une.Gezohu bashke me dy vogelushet e tu, atyre nuk u duhen shume trishtimet, romantizmat te hedhura ne leter nga une.Jane nota te renda, te ashpra, si vete udha qe ti le pas...
Unknown said…
Angjelin un dhe ti kemi vite pa u takue me Anilën dhe sa kujtohem ajo nuk ish romantike e zakonshme. Matematiken kish pasion, aty ish bota e saj e vertet. Kur ndigjova që anila ish ba gazetare drejten me ta than më erdh keq. Por ja tash ajo edhe gazetarin e ktheu në passion t’sajn. Asht anila qe u ep jet e I kthen në art edhe profesione t’randa e pa përfitue.
Anil, shum u mallova me angjelinën dhe pse shpesh po flasim në msn e sot ajo m’tregoi për kët krjim tanin, I kish met në krye. Tash po qeshi me porosin tande, mos harro se angjelina tash po thote “cfar me din ti mu, vetem ti merr vesht..haha”. T’uroj prej shpirtit shoqe e fminisë.
Anonymous said…
This comment has been removed by a blog administrator.
Edmond Kaceli said…
Me shume se portret eshte "autoportret". Autoportreti i Anila Priftit -njerit prej zerave me origjinal dhe me te forte ne gazetarine shqipe te ketyre viteve. Nje ze pa kompromis. Autoportereti flet per kete. E gatshme te sakrifikoje jeten personale, private,per pasionin e veçante te gazetarise.
E kur shkruan letersi kuptojme se pas figures se forte te femres gazetare, specializuar ne kroniken e zeze, fshihet nje brishtesi dhe feminitet qe vetem njerezorja Anila Prifti mund ta kete. Edhe nje here urimet me te sinqerta per "Portret" dhe per blogun tuaj ne pergjithesi.
Unknown said…
Krijimtaria Juaj një ditë do të suprizoi lexuesit jo vetëm shqiptarët. U përgëzoj nga zemra për kontributin Tuaj me vite në gazetari zonja Anila. Ju kam lexuar vazhdimisht, edhe u kam dërguar emaile, por nuk kam marrë përgjigje. Adresa ime është antonvisha72@gmail.com

Suksese!!!
Antoni
Mira Prela said…
oh Anil me bere te mendohem. E kur po lexoj se ky mund te jete autopotreti yt po njoh edhe me mire autoren e shkrimeve qe une i lexoj tash sa vite edhe pse fytyre nuk te njoh

Popular posts from this blog

DOSSIER - Rrëfimi i plotë i Adriatik Colit: Ja si funksiononte Banda e Durrësit

Une bija

Gjon Gàzulli, astronomi dhe diplomati shqiptar i shekullit XV