Në botën e marrë...

Ti s'je veç një vizitor i trishtuar në këtë tokë të marrë. 
Vargu i famshëm i Gëtes, për imazhin e ekzistencës së njeriut, godet frikshëm sot. Vrulli, me të cilën vijnë lajmet e ditës, ngjajnë me zhuzhutë e lodhshme në një urban, i cili, për 45 minuta i bie rreth e qark Tiranës. Kaq është metropoli i vendit, me dy milionë e gjysmë banorë të këtushëm. Në kaq pak kohë, dëgjon thjesht gjithçka ndodh në një vend për Kryeministrin, që kërkon central nuklear; për Presidentin, i cili pushon në mesditë në banesën e tij rrëzë Dajtit; për "Dosjet"; për vizitat "investiguese" në Gjermani; për Kodin... dhe... trillet e Daun Braën; për "Fazlliç" e për "Basha".
Të gjithë flasin kudo dhe sido që t’u vijë për mbarë. Në këtë vend, fjala është e lidhur me ASGJË-në. Një mik shkruan... Recipienti ynë budallallepset me lirinë e fjalës së shndërruar në pallavër të mërzitshme, të fjalës që nuk hyn më në luftë me të keqen e që nuk bëhet asnjëherë vepër...
Ekranet diktojnë kritikët; kritikët të kujtojnë këndvështrimin; shtetarët i fshihen eprorit, KY i fundit vrapon drejt xhaketës së mikut, miku shikon xhepat.
Ata lart, së bashku marrin portrete heronjsh, ndërtojnë histori konspirative, fluturojnë bashkë – dhe pak djathë dhie, pas kënaqësisë për miliona të humbura në misterin e ruletave-kaziono. Se kështu u pëlqen me tepër: lojtarë të kohëve moderne. Flitet për mafien, mafien dhe shtetin; por askush s'po di se ç'është. Një romancier prej së largu shkruan: Bota e pushtuar nga mafia, sot është gjallë me katër policë roje. Pakkush ka aftësi të parashikojë dhe të projektojë vetveten. Mungesa e përgjegjësisë po ndërton botën e mediokritetit; larg së vërtetës. Bankierët kujdesen për imazhin dhe erën e parasë! Në trotuarin e një prej rrugëve kryesores të Tiranë, njëqind metra larg karriges së kreut të Shtetit, dyqind metra larg asaj të Kryeministrit, trupi i një 27-vjeçareje u çart. Në fund të udhëtimit të saj të lodhshëm për punë, në vendin e 28 mijë të papunëve, i jep fund jetës, duke u hedhur nga kati i pestë i një apartamenti.
Të frikësuar. Zot larg meje! Ç’bëhet kështu, u shurdhuam! Çdo ditë një, dy, tre... zgjedhin të vdesin në këtë mënyrë. Pesëqind mijë nga 2,5 milionë, këtu rropaten në dyert e psikiatërve; nis loja mes jo vetëm të çmendurve. Një burrë në Krujë vret gruan, pas një jete të tërë dhune ndaj saj. Mbi 60 të vrarë në familje u shënuan në 12 muajt e fundit: çdo ditë një grua a një fëmijë kërkojnë ndihmë. Pas kësaj..., shtrihet indiferenca dhe banditizmi. Pesë mijë krime vetëm në Tiranë për 2008-n: të vrarë 18 persona, 60 raste në tentativë, po kaq të vrarë nga aksidentet. Rreth 30 mijë veta janë përdorues të drogës e po aq të alkoolit. Dy miliardë euro fitohen vetëm nga kalimi i drogës së Afganistanit, disa herë rritet vlera e të ardhurave nga trafiqet e tjera. Mbi 400 mijë në varfëri; 2 dollarë në ditë, 100 mijë në minimum jetik. Migjeniane! Lajmet e fundit tregojnë për shtim të prostituimit; mijëra shqiptare në metropole evropiane, kurse vendaset, një në katër të kësaj gjinie, nga mosha 14 deri në 55, prostituon ilegalisht në parapagesë: një pjesë prostituim aferash e për vend pune.
Është edhe ngujimi. Mbi një mijë familje, të ardhurat e të cilëve i klasifikojnë në rangun e të pasurve, jetojnë në makth. Fëmijët tyre vështirë ta shohin diellin e mëngjesit, ndërsa baballarët kujdesen t'u punojnë mirë armët. Pesë mijë të tjera kanë zgjedhur të rrinë brenda mureve, në pritje të gjakësit. Numri i analfabetëve ka arritur në tetë mijë. Të gjithë të lirë për zgjedhje, por asnjëri për ku. Budallalpse që në ngjizje; të rinj të detyruar në kënaqësi të përkohshme, prindër të terrorizuar, arratisje nga realiteti, frymorë të lirisë së madhe. Për ngushëllim vijnë fjalët magjike antikorrupsion, antikrim, mirëqenie. Në këtë të fundit, kryetari i komunës është edhe pronar toke, kryetari i bashkisë, më së paku gëzon një pallat, ndërsa ministri mbase një bankë.
Të gjithë të marruar! Blejmë ekrane për fjalën e lirë, "thyejmë" vitrinat për të brendshmet e Becam-it, krahasojmë kryeparlamentaren tonë me Mbretëreshën e Anglisë. Një kostum dy mijë euro; nxitojmë të shpohemi me vaksinën e skaduar, rrezohemi nëpër puseta; u hapim rrugën blinde-ve presidenciale; të sëmurëve psikikë u veshim mantelin artistik në krye të shtetit dhe, në mbrëmje vonë, trembim gjumin me poezitë e errësirës. Dikush, mes gjithë të marrëve, zgjedh të jetojë me revolucionarët e vdekur!

Dhjetor, 2008- AGON

Comments

Unknown said…
Renditja e fakteve dhe paralelizmi i tyre me psikologjine e njeriut shqiptar na paraqet nje realitet te hidhur. Kur shqiptaret do te binden se duhet te jene ata pjesmarres ne ndryshim? Kjo ka per ndodhur vone, mbase asnjehere.

Anila gezohem kur lexoj artikujt e ty e shpresoj te mos harrosh asnjehere kete detyre tenden. Antoni
Unknown said…
Renditja e fakteve dhe paralelizmi i tyre me psikologjine e njeriut shqiptar na paraqet nje realitet te hidhur. Kur shqiptaret do te binden se duhet te jene ata pjesmarres ne ndryshim? Kjo ka per ndodhur vone, mbase asnjehere.

Anila gezohem kur lexoj artikujt e ty e shpresoj te mos harrosh asnjehere kete detyre tenden. Antoni
Mira Prela said…
E bukura e ketij shkrimi eshte guximi per te shfaqur marrine e shqiptarve. Mira. Shkoder
Unknown said…
Ajo eshte mjeshteria e penes se Aniles qe jo vetem guxon por te bind per ate qe shkruan

Popular posts from this blog

DOSSIER - Rrëfimi i plotë i Adriatik Colit: Ja si funksiononte Banda e Durrësit

Une bija

Gjon Gàzulli, astronomi dhe diplomati shqiptar i shekullit XV