Pse dyshoj te shqiptarët...

 Anila Prifti 


 Pse dyshoj, se shqiptarët janë të paaftë, për të qenë pjesëmarrës në Procesin e Ndryshimit? Mos kjo më ndodh, për shkak të vetëmosbesimit apo për shkak të frikës ndaj të panjohurës? Apo nga vetëvlerësimi i tepër kam frikë të besoj te të tjerët? Në fakt, nuk eshtë kështu. Kjo, për shkak se çdo ditë, në 19 vitet e fundit pas diktaturës, për mua ishte e panjohur, e re, e frikshme ose e bukur, me ngjyrë ose pangjyrë. Por edhe rezultatet, në marrëdhëniet e mija profesionale, më kanë treguar të kundërtën. Sikurse nuk jam mosbesuese, derisa transmetoj optimizëm e vullnet apo kërkoj ndihmë e delegoj detyra në çdo sferë të jetës. Nuk dua në këtë shkrim të injoroj bashkëqytetarët e mi. Mospasja i një ideje, për t’u larguar prej këtej, për shkak të këtij dyshimi, apo prejardhja dhe lidhjet e gjakut me shqiptarët e mëdhenj: Fishta e Gazullorët, asesi nuk më orientojnë drejt fyerjes për racën, së cilës i përkas edhe unë. Dyshoj, sepse, si reportere prej 16 vitesh, në bisedë me njerëzit e di që prindi i sotëm, në ankth të pashpjegueshëm për të parë fëmijën duke qeshur, e ushqen me playstation apo, e kundërta, e hedh në rrugë... Shqiptari i sotëm, përherë e me tepër po lobon mes vetes, për të kthyer në kulturë majmunërizimin. Ikën nga origjina, nga traditat, për t’u futur në zhurmën e ditëve moderne, se aty ndihet me i fuqishëm. Ky bashkëqytetar, 50 vjet i këndoi dhe i dhuroi lule udhëheqjes diktatoriale dhe po ashtu sot i buzëqesh e i serviret një zyrtari apo pushtetari, për një vizë, si punëtor ndërtimi a pastrimi te fqinjët me kombësi tjetër. Si të mos mjaftonte ky mjerim deri në vetëdegradim të personalitetit, të mbeturit këtu, me votën e tyre ndërtojnë karrierën jetëgjatë të klaneve mafioze. Fëmijëve të sotëm u dërgohen mësues injorantë u serviren edhe libra demagogjikë. U flitet për të ardhmen, pa të kaluarën. U kërkohet civilizim, jo nëpërmjet njohjes së historisë së vendit e tyre, por me anë të botës virtuale, edhe pse gjysma e popullsisë nuk mund të shlyejë as faturën e energjisë. Por çfarë ndodh me trurin e shqiptarëve? Neurologët e dinë se truri i njeriut ndahet në tri zona a sfera: e mbrapme, e mesme dhe ballore; secila me një funksion të veçantë, por të tria në shërbim të njëra-tjetrës. Ata thonë se një ngacmim hyn në trup, fillimisht nga fijet nervore të shtyllës kurrizore. Prej andej, ato mbërrijnë në zonën e mbrapme të trurit dhe aty shndërrohen në ndjenja, të cilat pastaj hyjnë në zonën e mesme të trurit, ku shndërrohen në emocione. Nga truri i mesëm, emocionet kalojnë në pjesën ballore, ku aty përzgjidhen, frenohen, kontrollohen, përpunohen, zbuten e arsyetohen, para të shprehen, a shfaqen jashtë në formë sjelljeje, me të qeshura a të qara, me butësi a zemërim. Përmes emocioneve, shtrohet rruga midis ndjenjës dhe arsyes. E njëjta gjë ndodh në një shoqëri, ku rolin e pjesës ballore e luan udhëheqja; por kur ajo mungon, është e paaftë, a nuk funksionon, ose e kundërta atëherë dhe shoqëria mbetet “pa frena” dhe e çorienituar. Njerëzit i drejtohen të kaluarës për t’u mbushur me ndjenja, që shndërrohen në emocione, të cilat shprehen të kontrolluara ose të shfrenuara, në varësi të aftësisë së pjesës ballore. Në muzeun Warren, pranë shkollës mjekësore të Universitetit të Harvardit në Boston, ndodhet e ekspozuar një kafkë njeriu, pranë saj një shufër hekuri. Kafka, e ekspozuar në Muzeun e Anatomisë në Harvard është vendosur aty rreth viteve 1870. Ajo dallohet për një vrimë të madhe, që fillon në mollëzën e majtë e del vertikalisht në pjesën e sipërme, të përparme të kokës. Historia ndodh në shtetin e Vermontit, rreth 160 vjet më parë. Në atë kohë, 25-vjeçari Phineas Gage - kafka e tij është e ekspozuar - punonte si përgjegjës në një stacion hekurudhor mallrash. I edukuar, i sjellshëm, drejtuesit e stacionit e mbanin si një nga menaxherët më të mirë e më të suksesshëm dhe të respektueshëm. Phineas ishte edhe shok i mirë. Në mbrëmjen e 13 shtatorit 1848, ndërsa Phineas jepte udhëzimet e fundit dhe bëhej gati të zbriste nga treni, makinisti, që po provonte frenat, shkaktoi një dridhje të fortë të vagonëve. Ai u rrëzua në tokë. Koka i kishte rënë mbi një shufër hekuri, që kishte kaluar tejpërtej nga mollëza e majtë, nëpër sy e për të dalë në pjesën e sipërme të përparme të kokës. Të gjithë menduan se Phineas vdiq. Por ai po merrte frymë; e vunë trupin në një karrocë dhe e nisën urgjentisht në spital. Pas një jave, Phineas doli nga spitali. Plaga i ishte mbyllur dhe ai u kthye në punë. Kaluan vetëm disa ditë dhe ata që u gëzuan mbetën të zhgënjyer. Phineas nuk ishte më ai i para aksidentit. Ai bëhej nevrik, shante, mallkonte, bërtiste dhe shpesh jepte urdhra kundërthënëse. Aq i padurueshëm e i paarsyeshëm u bë, sa e pushuan nga puna. Ai filloi të shkonte nga një spital në tjetrin, por mjekët nuk shihnin tek ai ndonjë problem fizik, as edhe mendor. I thoshin se nuk kishte gjë, si dhe e këshillonin të tregohej më i sjellshëm me të tjerët. Phineas kishte ndryshuar plotësisht, në sjellje e karakter. Filloi jetën e endacakut, nga qyteti në qytet. Në New York, për shembull, ai zinte vend në ndonjë rrugë me shumë kalimtarë dhe, për të fituar disa dollarë, u tregonte atyre se si kishte mbetur gjallë nga aksidenti, edhe pse shufra e hekurit i kishte hyrë nga një anë e i kishte dalë në anën tjetër të kokës. Për të vërtetuar ato që thoshte, Phineas mbante në njërën dorë shufrën e hekurit dhe me tjetrën tregonte vendin bosh, ku më parë ndodhej syri i majtë. Pastaj dora e tij prekte shenjën në faqe dhe gjurmën e vrimës së mbyllur, në pjesën e sipërme të kokës. Vërtet ne, të jemi një Phineas me shufër hekur e vrimë në kokë?!

Comments

Ilir Parruca said…
Anila megjithe respektin qe gezoj per ty si person dhe per stilin e përdorur nga ti ne te shkruar, mendoj se je treguar pak e ashper ne ilustrim. Ne jemi pupull ne tranzicion dhe akoma nuk kemi shkuar atje ku ndodhen shoqerite e somte.
Te pershendes, Iliri
Mira Prela said…
Lexova edhe ne facebook dikend qe kritikonte Anilen per munges optimizmi e me pas thoshte se shkrimin e pelqente. Edhe ty ILir po tlexoj qe anila te eshte dukur e ashper ne kete shkrim. Por a nuk jane te verteta ato qe shkruan ajo? A nuk jemi ne deshmitare te 20 viteve tranzincion dhe ajo qe kemi mesuar deri tani eshte se po dite te vjedhesh edhe te vrasesh, te jesh imoral je i forte, je i fituar?

Bravo anila
Unknown said…
Ilir nuk jam i sigurt ne keni lexuar artikuj te meparshem te Aniles, ate pershtypje te krijojn se ajo shkruan ashper apo hidhur, por ajo vetem sa shtron fakte e detaje qe na bindin dhe na sjellin realietin me afer, ate realitet qe ne e shikojm ne cdo moment te perditshmes por qe kur e lexojme tek anil themi; o une e dija kete
Unknown said…
Ilir nuk jam i sigurt ne keni lexuar artikuj te meparshem te Aniles, ate pershtypje te krijojn se ajo shkruan ashper apo hidhur, por ajo vetem sa shtron fakte e detaje qe na bindin dhe na sjellin realietin me afer, ate realitet qe ne e shikojm ne cdo moment te perditshmes por qe kur e lexojme tek anil themi; o une e dija kete
Ilir Parruca said…
Anton une nuk po fyej apo ofendoj anilen. Vetem shkrova se shkrimi mu duk mjaft i hidhur. E sa per informacion besoj se ne jete me shume kam lexuar se kam fjetur keshtu edhe anilen e kam lexuar edhe ne kohet kur intervistonte person ne kerkim kur policia i kerkont ne cdo cep te shqipris, edhe ather kur ajo futej tek familjet ne gjakmarrje qe jetonin te rrethuar me kallashnikov
Westward said…
Me pelqen,
shkrim i guximshem
Kastriot Tole said…
Jo vetem i guximshem por edhe shkruar bukur e me finese

Popular posts from this blog

DOSSIER - Rrëfimi i plotë i Adriatik Colit: Ja si funksiononte Banda e Durrësit

Une bija

Gjon Gàzulli, astronomi dhe diplomati shqiptar i shekullit XV