Myzeqaret e lodhur


E lënë mënjanë bri vargut të kodrave në të majtë të autostradës, kur shkon për në jug të vendit, Lushnja duket e harruar. Dikur pikë turistike, "Blerimi" prej të cilit tregohej nga larg edhe qyteti, tashmë nuk ka as pamjen e një lokali fshati. Rrugët zhurmohen nga gjeneratorët apo kërcitja e ndonjë kovaçhani, muzikë kjo që në vitet e hershme. I çorientuar në kalimet pa lidhje, qyteti banohet më tepër nga të ardhurit e zonave të ndryshme. Vendasit janë larguar, kurse ata që janë tregojnë për varfërinë e mbjellë në vite. Nga statistikat mësohet se numri i të punësuarve është mjaft i vogël, ndërkohë që aktualisht aty numërohet rreth 120 mijë banorë si Prefekturë. Të flasësh për atë çka sot ndodh në këtë qytet me histori, duhet kohë... Ai pasohet nga fshatra gati të vdekura, siç thonë vendasit, dhe pse dikur ato rrethonin fushën e Myzeqesë "Hambari i Shqipërisë".
Projekti për autostradën Lushnjë-Fier duket sikur i ka ngrohur banorët, por sërish janë dyshues. Ndonëse janë shpronësuar nga shteti për tokën ku do të kalojë rruga, kanë dëgjuar se do të ndërrohet destinacioni dhe ndjehen të flakur. "Thamë se do të ndryshojë diçka, por kemi frikë se autostrada nuk do të kalojë këtu, nuk e dimë se çdo të ndodhë, mos do të kthejmë lekët", thotë Llazi, i cili merret me bujqësi. Nuk di të tregojë se ku e ka dëgjuar, por, sipas tij, fshatarët diskutojnë gjatë për këtë. Sapo del nga Lushnja, në drejtim të Fierit, në krah të djathtë të rrugës ekzistuese, shfaqet Savra. Para '90-ës i quajtur sektor, popullohej kryesisht me të internuar dhe banorë të ardhur nga zonat e Veriut dhe të Jugut. Krahasuar me ndërtimet e fundit në shumë zona të vendit, banesat e Savrës duken si kasolle xhuxhash. Asgjë nuk ka ndryshuar. Në ato pak pallate, tashmë si godina të sulmuara, jetojnë të ardhur serish. "Ata që kanë qenë këtu deri në vitin 1994, tani janë larguar, janë larguar shumica e banorëve", thotë Raxhi, një ndër të paktët banorë që nuk është larguar nga Savra. Ai tregon se në këto grumbuj shtëpish jetojnë njerëz të papunë, të uritur. "Kanë ardhur nga ato vende ku nuk kanë patur ku të fusin as kokën, por sot nuk kanë as ç'të hanë", thotë ai. Zona duket e palarë, nuk ka ujë, nuk ka patur asnjëherë. Botet, që për vite me radhë furnizonin banorët, të cilët rriheshin për flokësh për të mbushur një bidon pesëkilësh, për pirje dhe larje, sot as nuk ekzistojnë më. Sipër kokave sheh tela bakri pa fund, të thurura si dikur kashtat për rrogozin, por llampë të ndezur nuk dallon... Mbrëmjeve vonë ndonjë shkëndijë tregon se korenti është lëshuar...
Familja e Rexhepit jeton në skaj të fshattit, larg qendrës së Savrës. Të shkosh deri aty duhet të kalosh përmes oborreve të shkatërruara dhe rrugicave me hekurishte të ndryshkura. Duhet të kenë mbetur që nga koha e traktorëve dhe zetorëve. Rexhepi ka ardhur nga Peshkopia, nuk tregon saktë pse, por një komshi i tij thotë se "duhet të ketë ikur nga gjakmarrja". Nuk të fton në shtëpi, por del jashtë një rrethimi me tela të ndryshkur e të rri përballë, si për të të kërkuar "mbaroni shpejt se s'kam kohë edhe për ju". Burri te 45-at dhe që duket si të jetë 60 vjeç, jeton së bashku me të shoqen dhe pesë fëmijët e tij. Asnjë nga pjesëtarët e familjes nuk merret me punë. Dy vajzat e tij të rritura qëndrojnë brenda banesës gjysmë të shembur. Ato nuk mund të dalin, pasi Rexhepi mund edhe t'i vriste. "Tashmë e kanë kohën për t'u martuar dhe të gjejnë ndonjë fat të mirë, jo si unë, ku nuk gjen edhe kripë", thotë ai. Për momentin të duket e pabesueshme dhe e vështirë të besosh se aty jetojnë shtatë frymë. Djali i Rexhepit, 13 vjeç, del shpesh në qytet. "Ndonjëherë kthehet edhe me lekë sa për të mbajtur frymën ne", tund kokën i ati, fytyra e të cilit nxin ndoshta dhe prej tymit të duhanit, që del shtëllunga-shtëllunga, si të ishte ndonjë çibuk i madh. Njeriu që na shoqëron, thotë se si djali i Rexhepit, nga fshatrat dalin shumë. Ata mund të punojnë gjëkundi, të mbajnë tulla e llaç, të lypin, por edhe të luajnë me letra në rrugë etj. Askush nuk di se ç'bën ai apo shokët e tij. Burri është pak i kënaqur, se tashmë i biri iu rrit dhe se shumë shpejt duhet ta nisë atë jashtë kufijve, ndoshta dhe para Vitit të Ri. I kanë premtuar, por ai nuk ka lekë dhe heqja e skafeve sikur e ka bërë pesimist pak, "pasi do kushtonte më pak". Gruaja e Rexhepit, e veshur me pantallonta të ngushta, pa lidhje për vendin dhe punët që ajo kryen, nuk të jep mundësinë për t'iu afruar apo për t'i qarë hallet. Sytë i rrezatojnë egërsi, kurse fytyra ka nisur t'i rreshket tepër. Thotë se bën vetëm punët e shtëpisë, por brenda mureve ku ajo jeton duket si një kasolle rrangullash të vjetra, të cilat gruaja mund t'i lajë te truma para portës, uji së cilës nuk pihet. Në ato pak metra vend sheh e prek mjerimin, kurse fytyrat e familjes së Rexhepit të tregojnë për urinë...
Burri nuk ka tokë rreth e qark. Por dhe po të kishte, ai thotë se nuk do t'i hynte në punë. Në oborrin e pasistemtuar ca rrënjë hardhie janë të rrëzuara përtokë. Ato nuk do të bëjnë asnjëherë rrush. "Kjo është tokë që nuk bën më, por dhe po të kisha, me se do të paguaja për ta punuar. Kam parë edhe në fshatrat e tjera, edhe ata që janë më mirë se unë e kanë tokën djerrë...", thotë burri sikur të ketë shpëtuar nga ky hall.
Raxhi thotë se kjo është e vërtetë. Bujqit janë të interesuar të punojnë e të mbjellin, por tarifat nuk të japin mundësinë. "Me të ardhurat që mund të marrin nga gruri, nuk nxjerrin dot as lekët e farës", thotë ai. Shteti, së fundmi, ka paraqitur interes për karburantin e bujqëve, por fshatarët janë të tërhequr. "Nuk dimë se si do të rregullohet kjo punë, pasi ai që të punon tokën nuk do të ulë çmimin", thotë një fshatar në Gorre të Lushnjës. Duket se ata kanë nevojë për sqarim të mëtejshëm, për procedurat që do të ndiqen lidhur me naftën për ta. Themiu thotë se familja e tij ka emigruar herët dhe se të ardhurat janë munduar t'i përdorin në fshatin e tyre, duke ngritur një serë të vogël, por, sipas tij, asgjë nuk është fituar. Ai mendon se familja e tij jeton më mirë se të tjerët, por njeh familje që sot vuajnë në uri. "Dhjetëra vajza të reja punojnë te peshku, këtu në magazinën e njërit për 2 mijë lekë të vjetra", thotë ai. Bela, 23 vjeçe, është njëra prej punëtorëve në këtë magazinë. Ajo kërkon të ketë një jetë ndryshe, por nuk mundet në asnjë formë. Në shtëpinë e saj janë gjashtë frymë që kërkojnë të ushqehen. Thotë se i ati mundohet të mbjellë ndonjë perime, por kjo është disa ditë ushqim vetëm në stinën e verës. Bela do të largohet prej aty, por nuk di se ku. Ka dëgjuar vite pas vitesh se shumë vajza kanë ikur jashtë dhe kanë patur fate të ndryshme, dhe ajo ndjehet e ndrydhur. "Sot do të shkoja pa kthyer kokën pas, askush nuk e di se sa vuajmë ne këtu, sidomos familjet që nuk kanë asnjë ndihmë nga emigracioni", thotë vajza. Si Bela në fshatrat përreth ka shumë vajza. Pa perspektivë, pa të ardhme, të papuna dhe të ndrydhura para mentalitetit në fshat.

2005

Comments

Popular posts from this blog

DOSSIER - Rrëfimi i plotë i Adriatik Colit: Ja si funksiononte Banda e Durrësit

Une bija

Gjon Gàzulli, astronomi dhe diplomati shqiptar i shekullit XV