Monday, January 4, 2010

Kur natyra nuk fal!


Anila Prifti

U çmend natyra!!! Po çmendet e do të çmendet. E ka zënë keq me ne e fatin tonë të kudondodhjes. Vazhdon të bëjë presion me ujë duke na kërcënuar ekzistencën tonë dhe të sendeve tona. Tashmë përballë saj duket se jo vetëm që bie pesha e racionales për të mundësuar qëndrim, por edhe pesha e besimit të madh se natyra i fal lehtë gjërat e saj.
Në të vërtetë edhe fal, e ndoshta më shumë se ndër ne e me ne s`ka falur gjëkundi. Kursimet e saj na kanë ngrehur shkretinave të mendjes se gjithçka është e jona, se duhet përderisa edhe kundra ligjeve të saj ne mund ta ngremë. Mund të fuqizojmë ngrehinën tonë në kohëpakohën e gjithçkasë që duhet të na përkasë me çdo kusht. E njëherë, kur ndoshta edhe vetë asaj (natyrës) i dalin kundër edhe ligjësitë e veta, atëherë mbetemi ne dhe ajo, si përballje të marra për të cilat s`ka gjykim, të gjykuar dhe gjykues. Kjo është ajo c`ka lehtë mendoj teksa shoh litarët e gjatë e të egërsuar të ujit në kërkim të shtratit të hershëm, e që ne njerëzit prej kohësh bëjmë gjumin e brejtësve mbi të. Është lumi që shpall hapur tërbimin e tij prej bishe të sapozgjuar ballë njeriut të vogël, ashtu si poezitë e vrullshme pushtojnë shpirtin e një poeti vetëvrasës. Njerëzve çmendurisht te uritur në padijen e tyre as që edhe u ra në mend se orëve të errësirës, minutave kur një vit shkoi dhe një tjetër erdh, trokiti edhe natyra. Me atë shpejtësi dhe befasi që vetëm ajo mund të vijë, hyri heshtazi si për të festuar me ata; sfiduesit e saj. Kështu ndodhi në veri të vendit tonë, në ultësirën e Shkodrës përreth Bunës dhe në atë Lezhës afër detit. Si një përballje superfuqish, deti ngre dallgët dhe hyn në brendësi, kurse lumenjtë zbritën nga malet; qindra banesa ndodhen mes ujit. Por edhe pse shikon fëmijë gjysmë të zhveshur,të rritur të hidhëruar, nuk është e lehtë të akuzosh për padrejtësi natyrën, ndërsa kërkon atë c`ka njeriu i ka grabitur. Pas kësaj vijnë pamjet sa banale aq edhe kokëshkreta prej njeriu. Nga njëra anë qëndrojnë ata që në propagandojnë në emër të jetës dhe të mirëqenies, nga ana tjetër ata të mjerët; viktimat.
Një i moshuar mendueshëm shikon ujin përreth shtëpisë së tij gjysmë të fundosur dhe vendos të qëndrojë deri në fund. Eshtë banorë i Dajçit të Bregut të Bunës, ashtu si edhe bashkëfshatarëve të tjerë, uji i ka rrëmbyer gjithçka sende të vetat; apo si ata janë mësuar tu thonë kohëve të sotme; pasurinë. Odat janë të pabanueshme dhe nuk është ndonjë çudi që muret e dykatëshes të shemben. Pjesëtarët e tjerë të familjes të marrë me forcë nga ushtria janë dërguar në ambjente t’tjera në Shkodër. Asgjë e vlefshme, e çmueshme nuk duket të ketë shpëtuar në këtë lagje fshatarësh, por plaku vazhdon të qëndrojë. Fytyra e tij, si e një portreti skalitur në bronz duket se i njeh mirë tekat e natyrës, ndaj ai vetëm hesht. Me një dru të gjatë në dorë rremon në fundin e ujit të turbullt me shpresën për të shpëtuar c`të mundet. Nuk dëgjon as thirrjet e policisë a të ushtrisë, që në emër të Shpëtimit i kërkojnë të largohet prej aty. Nuk dëgjon as lutjet e gruas që herë pas here merr rrugën drejt hapësirës së ujshme me shpresën se burri do të tundohet nga rënkimet e saj. Kjo pamje sa intriguese aq edhe e dhimbshme të tregon sesa i vogël e i mjerë është njeriu. Sa i vogël për të marrë në dorë fatin e jetës së tij, sa i mjerë në egërsinë për të marrë gjithçka mendon se i takon. Duket si një përballje e fundit midis lumit dhe plakut 70 vjeçar. Herën e shkuar, takimi midis tyre ndodhi rreth 30 vjet më parë. Edhe kësaj rradhe uji do të shkojë, duke i rrëmbyer plakut atë c`ka mblodhi gjithë jetën e tij; si një kompensim për gjumin që bëri pa pyetur për natyrën.

Wednesday, November 18, 2009

Tuesday, November 10, 2009

“Mafia e Re” , kriminelët shqiptarë kërcënim për botën


Anila Prifti

Pesë vite më parë, Kris Sueker, asistent-drejtori i FBI-së për Hetimet Kriminale, dha alarmin për krimin e organizuar shqiptar. Lajmi u përcoll në CNN, ndërsa theksohej se, pas goditjeve të fundit ndaj familjeve mafioze, shqiptarët kërcënonin zëvendësimin e "La Cosa Nostra", e cila konsiderohej si kryemafia në SHBA. Sueker tha se, duke vepruar në Nju-Jork dhe në qytetet lindore të SHBA-së, "Mafia e re" është e sofistikuar dhe e dhunshme, aq sa konkurron mafien ruse. Një vit më parë, një raport i CIA-s për kriminalitetin e shqiptarëve, vuri në dukje se llogariteshin 2 500 padrino shqiptarë të shpërndarë në vende të ndryshme të botës, ku dhe ushtronin aktivitetin e tyre mafioz. Një raport tronditës hartuar nga investiguesit ndërkombëtarë do dalë së shpejti për “Mafian e Re” e cila shikohet si kërcenim real. Dje, një goditje u bë në Itali. Policia e Padovas sulmoi një bandë të trafikut ndërkombëtar të drogës, të drejtuar nga një familje shqiptare. Banda kishte baza jo vetëm në Lombardi, Friuli, Venecia dhe Xhulia e Marche të Italisë, por edhe në shtete të tjera, si në Francë, Holandë dhe Spanjë. Referuar të dhënave të shtypit vendas, në operacionin e policisë, të koduar “Nafiza”, u përfshinë qindra policë, oficerë të antidrogës, si dhe një helikopterë. Operacioni përfundoi dje në mëngjes, me ekzekutimin e 54 urdhër-arresteve, si dhe me një numër sekuestrimesh. Hetimet ndaj kësaj bande kanë zgjatur 9 muaj dhe, që nga kjo kohë, janë arrestuar 74 trafikantë droge.

Alarmi i CIA-s dhe raporti i OKB-së
Në raportin vjetor të CIA, më 2004-n, bërë publik nga Ian Burell, reporter i “The Independent”, shkruhej: “Është vërtet e vështirë që Cosa Nostra (mafia italiane) ta fitojë sërish kontrollin, pasi mafia shqiptare tashmë e ka atë në dorë. Kanalet e trafikut janë të hapura vetëm për ata. Mafia shqiptare i ka harruar marrëdhëniet e biznesit me miqtë e vjetër italianë. Cosa Nostra bën pjesë tashmë në një sistem lokal, ndërsa mafia shqiptare në një sistem mbarëkombëtar. Shqiptarët fituan supermaci mbi Cosa Nostra-n, kontrollojnë në qendër të Evropës, në Gjermani, biznesin e fuqishëm të drogës, të prostitucionit, të pijeve alkoolike dhe të duhanit, në bashkëpunim me mafien ruse”. Nga ky moment, krimi shqiptarë jo vetëm që po shihej seriozisht nga autoritetet ligjore të vendeve të ndryshme, por filluan përgatitjet e projekteve, plan masash për goditjen e kriminelëve shqiptarë. Këta të fundit, së pari përdorën Italinë, për të vendosur bazat e tyre, por shumë shpejt grupet u shtrinë në të gjithë botën. Raportet e shërbimeve të inteligjencës në SHBA, Itali, Spanjë, Angli tregonin çdo gjashtë muaj për zonat e influencës së mafies shqiptare dhe aktivitetin e tyre në marrëdhënie me mafiet e tjera. Në vitet 2000- 2004, mafia shqiptare konsiderohej si padrone e trafikimit të femrave dhe të drogës në vendet e Evropës. Fillimisht, grupet kriminale bashkëpunuan me ato italiane dhe më pas u kapën në rrjetet e tjera, duke arritur deri në lagjet e Broklin në Nju-Jork. Marrja e sigurisë bëri që shqiptarët t’i braktisnin miqtë e vjetër, kryesisht italianë, duke e marrë vetë në dorë komandën e trafiqeve. Ishte momenti kur shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës, ndonëse ndaheshin politikisht apo për çështje patriotike, grupet kriminale bashkëpunonin fuqishëm me ato sllave në tregun e drogës dhe të prostitucionit.
Në fund të vitit 2008, në raportin e OKB-së, për trafiqet dhe grupet kriminale në Ballkan e kudo, kur flitet për trafikantët shqiptarë thuhet “këta lloj njerëzish... janë kërcenim për BE-në”. Me të njëjtin vokacion, “gangsterët shqiptarë”, trajtohet edhe mafia e vendeve të ndryshme të botës. Studimet e ekspertëve kriminalistikë tregojnë se ka një marrëveshje të heshtur midis grupeve kriminale në botë që, e pagëzuar nga OKB-ja me “Parajsa e Gangsterëve shqiptarë”, të mos institucionalizohet. Ndoshta për shkak të karakterit të paqëndrueshëm të tyre, si dhe dëshira për të qenë të gjithë kapo. Si pasojë, ka sjellë pozicionin e shërbëtorit të tyre para grupeve kriminale në Evropë, Amerikë e kudo, edhe pse në raportin e OKB-së shqiptarët shihen si një rrezik, ndërsa arrijnë të kalojnë nëpërmjet tokës së tyre mbi 100 tonë drogë heroinë dhe kokainë në vit, sikurse për afro 10 vjet kanë qenë burim furnizimi me Canabis Sattiva për tregjet ndërkombëtare. Shifër kjo që luan një rol të rëndësishëm në statusin e një grupi mafioz.

Parajsa e Gangsterëve me 2 500 anëtarë
Në studimin e specialistëve të antikrimit ndërkombëtar veçohet mosha fare e re e shqiptarëve të futur në grupet kriminale. Përafërsisht, rezulton se në “Parajsën e gangsterëve” janë mbi 2 500 anëtarë – (sipas raportit të OKB-së) me role e detyra kriminale, dhe mosha më e vogël e rekrutëve është 15 vjeç. Është pikërisht ky grupim që arrin të depërtojë në të gjithë botën, të ketë lidhje me mafiet më të hershme e ta kthejë Shqipërinë në një vend transit të linjave kryesore të trafikut të drogës, nga Lindja në Perëndim. “Niveli i lartë i krimit në këtë zonë vjen edhe nga përbërja e qytetarëve”, - thuhej në raportin e OKB-së. Të rinjtë janë përfshirë në krime, për shkak të varfërisë, dhe janë bij të zonave të prapambetura. “Këta lloj personash bëhen shumë shpejt pre e krimit dhe disa nga këto vende nuk dinë se si të punojnë, për ta zhvilluar këtë popullsi. Gjithashtu, emancipimi i njerëzve është shumë mbrapa dhe në nivele të ulëta”, - citohet në raport. Regjimi diktatorial ka lënë pasoja. Ekspertët shpjegojnë se shqiptarët janë mësuar me polic te koka ndaj, pas 90-s, i kishin të gjitha shanset për ta zhvilluar krimin

Krimi në Ballkan, produkt i pas-komunizmit
Me hapjen e kufijve, vendet e Ballkanit përfituan lejen e kalimit për në anën tjetër dhe nisën të tërhiqeshin drejt heroinës, duke e kthyer kështu gadishullin në “Parajsën e gangsterëve”. Hartuesit e raporteve, edhe sot e shikojnë progresin e këtyre vendeve shumë delikat. Të dhënat e shërbimeve të posaçme tregojnë se situata kriminale në Evropën Juglindore është në rritje, për disa arsye. Rajoni ballkanik vazhdon të jetë një zonë transite për kalimin e heroinës në Evropën Perëndimore. Trafikimi njerëzor, po ashtu, vazhdon të jetë një problem i madh, si dhe korrupsioni, rregullat e ligjit, si dhe reforma e drejtësisë. Krimi më i rrezikshëm është ai i drogës. Shqipëria klasifikohet si një nga vendet më të rrezikshme. Trafikantët shqiptarë kontrollojnë rreth 70 % ose më shumë të tregut të heroinës. Kjo gjë është e pranishme në të gjithë Shqipërinë etnike, pasi këtu përfshihet edhe populli shqiptar, që është në vende të tjera të Ballkanit, si në Kosovë, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni etj. Në raportin më të fundit, që pritet të dalë, citohet se rreth 100 tonë heroinë kalon nga rajoni i Ballkanit drejtë Evropës Perëndimore. Megjithatë, heroina nuk është e vetmja që qarkullon nga Ballkani. Kanabis rritet në Shqipëri dhe në Bulgari, por në këto vende përpunohet edhe kokaina dhe drogat sintetike.

Historik; organizatat mafioze në Itali, Rusi, Japoni
Cosa Nostra - Sicili
Themeluar në fillim të shekullit XVI, por lindja e saj u atribuohet viteve të Luftës së Dytë Botërore, me ndihmën e amerikanëve, për ringritjen e Mafies në Sicili. Shumë bosë italo-amerikanë, të burgosur në SHBA (si Lucky Luciano e Vito Genovese, sa për të thënë ndonjë emër), u kontaktuan nga CIA, por u lanë të lirë, në mënyrë që t’u siguronin mbështetje në Itali aleateve. Cosa Nostra fiton çdo vit 8 milionë euro nga trafiku i drogës, 2 841 milionë nga investimet për pastrim parash, 176 milionë nga prostitucioni, 1 549 milionë nga trafiku i armëve dhe 351 milionë nga gjobë-vëniet, bën xhiro totale 13 miliardë euro.

Cosa Nostra amerikane
U themelua në fillim të shekullit të kaluar, por u pasurua në dy dekadat e para. Ajo lindi për dy arsye: emigrimi në SHBA i një numri të madh italianësh, midis të cilëve kishte edhe kriminelë, por edhe për shkak se shumë mafiozë nga Sicilia, për t’i shpëtuar ligjit në Itali, u detyruan të shkonin në SHBA. Një rol të madh në largimin e tyre pati Mori, prefekti i Palermos, gjatë periudhës fashiste, i cili i persekutoi për një kohë të gjatë. Zhvillimi i Cosa Nostra-s amerikane mendohet të ketë ardhur për një sërë arsyesh. Trajtimi i keq i shtetit amerikan ndaj emigrantëve italianë, të cilët, duke mos pasur asnjë lloj mbështetje financiare, ishin të detyruar të kryenin aktivitete ilegale. Ligjet amerikane të viteve 30, që ndalonin alkoolin, bëri që kontrabanda e tij të kishte përhapje të madhe në territorin amerikan.
Kjo organizatë varej drejtpërdrejt nga Cosa Nostra siciliane. 5 familjet në Amerikë mbanin kontakt të ngushtë me krerët në Itali: familjet Bonano, Lukese, Kolombo, Xhenovese dhe Gambino. Kjo e fundit merr pjesën më të madhe të fitimeve.

Camorra - Napoli
Themeluar nga mesi shek XVI. Fjala Camorra dikur kishte kuptimin e një takse që paguhej nga pronarët e lokaleve, për të siguruar mbrojte. Me këtë përkufizim, rezulton edhe në dokumentet e para, ku kjo fjalë është gjetur. Të dhënat i përkasin Mbretërisë së Napolit dhe datojnë vitin 1735. La Camorra vepron në 111 vende. Struktura e saj është e ngjashme me atë të Cosa Nostra-s, ku çdo familje zotëron një zonë të caktuar. Nga të dhënat e antikrimit italian, çdo vit Camorra fiton 7 230 milionë euro nga trafiku i drogës, 2 582 milionë nga investimet për pastrim paraje, 258 milionë nga prostitucioni, 2 066 milionë nga trafiku i armëve dhe 362 milionë nga gjobë-vëniet. Xhiron në total 12.5 miliardë euro.

Organizata – ish-Bashkimi Sovjetik
Kjo organizatë i ka fillimet në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik dhe ndahet në 3 nivele: grupe të vogla, të përbëra nga 10/15 persona të pavarur, në mënyrë direkt nga krerët e mafies. Brigadat e mëdha, që përbëhen me 200 deri në 300 persona, të cilët drejtojnë grupet e vogla dhe të ashtuquajturit "Vjedhësit e ligjit", që janë rreth 150 veta. Ata kanë pushtet ekonomik dhe politik. Duke qenë se shumica janë avokatë, mjekë, inxhinierë dhe politikanë, janë të aftë të realizojnë projekte dhe operacione financiare me shifra stratosferike. Mafia ruse merret më shumë me trafik droge dhe armësh, dhe është e shtrirë në të gjithë Evropën Lindore, sikurse në Francë, Zvicër dhe Itali.

Yakutsa - Japoni

Çdo bandë mafioze në Japoni quhet Yakuza, por drejtohet nga krerë të ndryshëm. Në traditë kryhen rituale shumë të hershme, si Sakazukishiki, ceremonia e pranimit të çdo anëtari të ri, i cili betohet për besnikëri dhe devotshmëri, duke pirë sakè nga gota e kryetarit. Irezumi, tatuazhi i ndryshëm për çdo bandë, dëshmon përkatësinë e anëtarëve të bandave.
Yubitsume – prerja e gjymtyrëve.
Në të tria ceremonitë e sipërpërmendura, protagonistë janë oyabun (kapo), kobun (vartësit). Në rast se dikush tradhton, duhet që t’i paraqitet shefit dhe, në prani të pjesës tjetër të bandës, ta presë gishtin e tij dhe ta ofrojë atë, të mbështjellë në një shami të bardhë. Nëse ky veprim kryhet, atëherë fajtori falet, por, në të kundërt, atij i prihet koka nga vetë kryetari.

Gazeta LIBERTAS

Wednesday, November 4, 2009

Këpucë-hedhësit e medies




Anila Prifti

Një grup gazetarësh dje hoqën këpucët e me to qëlluan muret e gurta të godinës së Kryeministrisë. Protesta, nga sa kuptova, ishte ndaj Kryeministrit Sali Berisha ose, më saktë, ndaj ish-mikut e mikut të shumë prej atyre që dolën në shesh e flisnin në emër të fjalës së lirë, apo në mbrojtje të gazetarit Mero Baze. Ky i fundit u sulmua nga një milioner shqiptar emocionalisht i pa kultivuar. Kur u njoftova për protestën e këtyre gazetarëve që, si në çdo rast tjetër të kaluar, vendimet i marrin në zyra partiake apo, akoma më keq, në bare miqsh, mendova se mos do të marrin ndonjë tank nga ato të mbetura nga `97-a e fuqishëm e do të shembnin muret e qeverisë apo atë zyrën e “armikut” të tyre Kryeministër. Siç vijnë vegimet, ashtu edhe mendja ime dukej se po ndriçohej nga pak në këtë mugëtirë hipokrizie. Nuk ndodhi kështu, vetëm disa këpucë të panevojshme të tyre fluturuan që, sipas po këtyre protestuesve, simbolizonin protestë ndaj fjalës së lirë(!) Sa humor bëhet në këtë vend, edhe pse pak besojnë në humorin e shqiptarëve! Po luftohet me “këpucë”, për fjalën e lirë! Por, edhe për dhunën ndaj gazetarëve..., qesharake!
Ashtu si edhe ata, edhe unë kërkoj të dënohet çdo njeri që godet, që dhunon jo vetëm gazetarë; sikurse uroj shërim nga lëndimet për kolegun Baze. Por, po në emër të fjalës së lirë, po dua të t’u kujtoj këtyre gazetarëve këpucë-hedhës, se qëllimi i tyre është më tepër se i dyshimtë. Them i dyshimtë, teksa nisem nga fakti se nuk pashë aty asnjë nga ata gazetarë apo liridashës të fjalës t`i kërkonin mikut e ish-mikut të tyre, Berishës, ndonjë pallat, nga shumë pallatet që pronarët e medieve apo edhe syresh gazetarë–protestues kanë ndërtuar. Mbase, me këtë rast ndihmonin i shkruesit të jenë më të dashur me fjalën e lirë! Po të mos shkojmë deri te kjo kërkesë, sa fëminore aq edhe të pakuptimtë, për ata që protestonin me kostumet shik. Thjesht, po rendis këtu disa nga momentet e tyre, ashtu të firmosura në zyrat partiake. Më kujtohet se një pronar mediesh, në kohën kur pakkush dinte ç`ishte “gazetaria e lirë” në vendin tonë, ndërsa vinte dita e pagave, kalonte në një gjendje shoku, irritimi, aq sa agresiviteti i Al-Capones Taçi të duket foshnjor. Ky botues dhe gazetar qëllonte me shpulla këdo që të gjente para tij apo, akoma më keq, t`i kërkonte që të paguhej. Nuk arrinte të kuptonte se një gazetar duhej të paguhej, ndërsa histerizohej para vlerës qesharake, që duhej të firmoste për rrogë, përballë shumave që Ai-Ata vilnin nga firmat piramidale. Kjo i bënte këta njerëz të ndjenin frikë, të strukeshin, si për të harruar të kaluarën e tyre mjeruese, kur dëgjonin se dikush e pranonte atë vlerë qesharake, por shumë të rëndësishme për ata që e vlerësojnë çka është e Drejta në një marrëdhënie me punën, me profesionin, me jetën dhe parimet e tij!
Dje ishin bashkuar shpullë-dhënësi e shpullë-ngrënësi. Aspak nuk ndryshonin! Dikur ai ndërtonte pallate e bëhej pronar toke, sapo dilte nga zyra e ish-Presidentit Sali Berisha. Kurse këta të dytët, janë pronarë e posedues pronash, sepse dinë mirë t`i zbresin e t`i ngjisin zyrat e kryeministrave apo të ministrave; po ashtu, të veshur shik dhe shik-s... Kur i pashë bashkë, pronarë e gazetarë, m’u kujtuan alarmet për bomba. Më saktë, një shoqe e kolegia ime më tha: “Anila, a të kujtohet kur varnim çantat te kangjellat, sepse jepej urdhri se mos gazetarët mbanin bomba me vete?! Të kujtohet kur vraponim, për të marrë lines-at, se as ato nuk lejoheshin në zyrën e punës, sepse pronarit i kishin thënë se do të vendosin bombë?”. Ndërsa kujtonim situatat qesharake, në vitet tona si reportere, më shkoi në mendje se mos këta protestues nuk hyjnë dot në zyra, nga frika e granatave? Dyshova, pasi kohët kanë ndryshuar dhe ato “granatat” me çanta dore tashmë janë zëvendësuar me çeqe, me firmë trojesh, me tenderë rrugësh, me pallate. E ata-protestuesit, si dashamirës për të kursyer fjalën e lirë, nuk mund të shkarravisin as dy radhë letër, pavarësisht se motivimi i tyre publik u përqendrua në hedhje të një shume për “kokën” e agresorit. Fundja, kush i pengon ata të shkruajnë si të duan? Askush! Duhet vetëm ide, për të mbushur gazetat. E ajo sot është e shtrenjtë, është e barabartë me një pallat, me një post ministri ose, akoma edhe më lart: e barabartë me postin e vetë Kryeministrit...
Por, edhe ndoshta protestuan ata gazetarë dje para mikut të tyre që, me sa duket, nuk po u jepka “ide” kohët e fundit. Kurse për fjalë-dashësit apo liridashësit e fjalës, përherë do të ketë një copë letër, ku të shkruajnë!

Wednesday, October 28, 2009

Historia e zinxhirëve dhe modeli presidencial




Nga Anila Prifti

Shqiptarët janë nevrikë. Irritohen njësoj: si kur marrin pjesë në kortezhin e gjatë të një ceremonie varrimi, ashtu edhe pas dyerve të maternitetit, në pritje të lindjes së fëmijës... Portreti i tij sa është i ekzaltuar aq edhe ka mllef.
Kështu, dy ditë më parë, pasi historia e familjes nga Peshkopia bëri xhiro në të gjitha mediet e botës, doli edhe Presidenti Bamir Topi. I irrituar, për mbajtjen lidhur për 20 vjet me radhë të dy vajzave të sëmura në Peshkopi, po aq i shqetësuar u tregua për femrën shqiptare, e cila, sipas tij, tashmë duhet të emancipohet, por edhe të ketë fizionominë e misionares Nënë Tereza. Këtë të fundit po e lëmë ta diskutojmë njëherë tjetër, atëherë kur edhe Presidenti të kujtojë se shoqëria shqiptare, në përqindje më të madhe i përket besimit mysliman e, më këtë tezë të Presidentit të tyre, mund të ndiheshin të fyera. Sikurse po anashkalojmë paralelizmin e tij, midis emancipimin të femrës shqiptare dhe dy femrave në zinxhir(!)
Ndaj, këtë herë po mundohemi të kuptojmë çfarë donte të thoshte presidenti i një vendi me 3.5 milionë banorë, përballë faktit anormal e tragjik të izolimit të dy femrave, ndërsa deklaroi se “kjo është e pafalshme për të gjithë..!”. Sa për të informuar lexuesin, fjala është për një tjetër histori fatkeqe të frikshme në vendin tonë. Pas rastit në Levan të Fierit, të 25-vjeçarit, i cili jetoi për tre vjet më radhë i lidhur në zinxhir, për shkak se gjyshërit kishin frikë mos ai sulmonte në agresivitet fqinjët, një tjetër ngjarje në Maqellarë të Peshkopisë e bëri të flasë publikisht edhe Presidentin. Dy motrat, Thëllënza dhe Fidane Keshi, përkatësisht 47 e 38 vjeçe, të cilat mendohet se jenë të paafta mendërisht, 20 vjet me parë u lidhën nga babai i tyre, Dine Keshi, me pretendimin se, kur të dilnin në rrugë, njerëzia do të tallej me to. Jo vetëm për këtë arsye, por plaku, në kushtet mjerane ekonomike, zgjodhi jetë të re për dy vajzat e tij, pasi do t`i duhej të endej në kërkim të tyre, për shkak të pasojave të sëmundjes, ndërsa i duhej kohë të punonte për të siguruar ushqimin për to. Më pak fjalë, ky fshatar, në kushtet e pamundësisë për të gjetur një strehë a përkujdesje profesionale për të bijat e sëmura, vendosi të jetojë me familjen në një mënyrë krejt të tijën, vetëm pse tashmë rastësisht merrnin frymë, por, si qenie të gjalla, duhej të ushqeheshin, të pinin, të flinin...
Mbase ka ardhur koha kur shqiptarët do të kenë gjithnjë e më shumë hapësirë, për të rrëfyer për vetveten. Dhe jo vetëm se, në këtë rast po i ndihmon Presidenti Topi, por se zbulimi i një rasti të dytë zinxhirësh, vetëm brenda pak ditësh, do të pasohet me pafundësi historish të ngjashme në tërë vendin. Pra, do të kenë rastin të dëshmojnë që e kanë kuptuar se duhet ta njohësh vetveten, më qëllim që më lehtësisht të të njohin e t’i njohësh të tjerët. Ngjarja në Maqellarë të Peshkopisë, apo të tjerat para e pas saj, as më pak e as më shumë dëshmojnë mungesën e institucioneve shtetërore, më së paku prej 20 vitesh. Ato janë dëshmi ende të gjalla, për t`i treguar edhe Presidentit Topi: Po është e vërtetë që kjo është e pafalshme për të gjithë! Por, prej nga ka ardhur Presidenti ynë që, ashtu si edhe shtetarë të tjerë, deri tashmë nuk dinë asgjë ç`ka ndodh në territorin shqiptar, i cili përshkohet deri edhe në fshatin më të humbur brenda 24 orëve?! Thua ,andej nuk bie asnjë rrugë para zgjedhjesh, apo Maqellara është e parëndësishme në vendimmarrje?!
Djali në Levan dhe dy motrat në Maqellarë dëshmojnë forcërisht apatinë shoqërore, por, kryesisht degradimin e shtetit nga qeliza e tij; nga përfaqësuesi lokal e deri te vetë kreu i tij. Siç duket, shqiptarët dhe Presidenti i tyre do të kenë mundësi të tregojnë se, pavarësisht se jetojnë në kalendarin e Internetit, janë të vonuar për të shembur muret e errëta mentale, ato mure që nuk na lejojnë të shohim me qartësi për çfarë jemi, kush jemi...

Wednesday, October 21, 2009

Zinxhirët e një shoqërie në verbëri



Anila Prifti



Një kasolle dje mbeti bosh. Mysafiri i vetëm i saj e braktisi apo, më saktë, mbërritën aty gjuetarët, e prej saj nxorën “egërsirën” nën zinxhirë. Të parët, ata që e lidhën me hekura, ishin të një gjaku me mikun e kolibes. E futën aty për të mos u turpëruar, për të mos bërë zhurmë ose, më thjesht, meqenëse ngjasonte me një “bishë”, duhej lidhur dhe mbajtur larg nga njerëzit. Të dytët ishin “vrasësit” e zhurmës. E larguan prej kolibes, ia zgjidhën zinxhirët e trashë e të keqpërdredhur - për të mos dëgjuar për pak çaste ulërimën e tij - e për ta degdisur te një palë “zinxhirë” të rinj, ku muret i ka pa veshë. Të dyja palët e zinxhirvënësve vinin nga radhët e njerëzve dhe, po me po të njëjtin qëllim, ndërsa një fatkeq 25-vjeçar u bë preja e frymëzimit të tyre. Sot kasollja është bosh, por errësira mbetet ende aty; ashtu si te “Minjtë” e Dino Buxattit, që i detyruan Fisnikët të bëheshin Shërbëtorë e të vlonin qull në kazanë, ndërsa kacavirreshin në trupin gjysmë të zhulosur.
Janë gjurmët e një shoqërie në verbëri, që nuk do të gjejë dot shpëtim. U tha se zgjidhen zinxhirët e një të sëmuri mendor në Fier, ashtu sikurse u tha se ishte i tillë, prandaj edhe ia lidhën. Befas, ndjen se ndodhej mes një loje psikikësh, ku shprehja e Mark Tuein, “nëse mendojmë se të gjithë janë të çmendur, zhduken misteret në botë”, nuk të ngushëllon aspak.
Çfarë mbetet pas zgjidhjes nga zinxhirët të një të sëmuri mendor? Çfarë mbetet në atë kolibe, ku është injektuar egërsia e një shoqërie në primitivitet? Në fakt, ende s’ka mistere. Janë gjurmë të tanishme të kultivuara herët. Është portreti i një shoqërie të dhunshme, të ashpër, ku më shpesh se me mirëkuptimin, respektimin reciprok, adhuron agresivitetin, dhunën, brutalitetin. Të edukuar me revolucionin me dhunë, me luftën e klasave, me dhunimin e ideve, me zgjidhjen me dhunë, ajo (DHUNA) është ngulitur në nënvetëdijen tonë, si mjet, si mënyrë jetese. Është çelësi ynë për të hapur dyert e problemeve, si manifestim i një karakteri të caktuar, si burrëri, si qëndrim, si revoltë, si rebelim. Edhe gjyshja zgjati duart të lidhte zinxhirët në këmbët e nipit agresiv. Kudo të rrethuar nga DHUNA. Është ajo që merr frymën, na kërcënon në rrethana të ndryshme; ajo ka qenë dhe mbetet një konstante e ndërveprimeve tona të përditshme. Është dhuna e shtetit represiv, është dhuna individuale kundra shtetit; dhuna në familje; dhuna etnike; dhuna fetare; dhuna raciale, terroriste, dhuna që ushtrojmë ndaj njëri-tjetrit. E, si shpërblim Lulëhena, ajo lule, për të cilën tregojnë se përjetëson shpirtin dhe mendjen e njeriut, nuk ekziston!
Kjo është gjithçka përfton nga ajo skenë horrori, në kasollen ku për tre vjet me radhë u mbajt i lidhur me zinxhir një 25-vjeçar. Kjo histori nuk ka ndodhur në ndonjë xhungël apo në ndonjë planet tjetër.
Vetëm 100 km larg metropolit shqiptar, po aq larg edhe selive shtetërore. Në Levan të Fierit, Fatmir Rashu, prej më shumë se 3 vjetësh, bënte jetën e një bishe të lidhur me zinxhirë në kolibe. I braktisur nga prindërit e tij, Fatmir Rashu u mor nga gjyshërit, por 5 vite më parë, një traumë e shkaktuar nga mungesat e shumta, si shkak i varfërisë, por edhe si shkak i një incidenti, që të afërmit nuk duan ta tregojnë, bëri që i riu të kthehej në një të sëmurë mendor agresiv.
Kështu u servir buja e një ngjarjeje pa precedent. Kështu u mësua e vërteta e lidhjes së një njeriu me hekura, për të mos prishur rehatinë e paqtë, së pari, të atyre që e rrethonin e deri në rehatinë e një shteti që kërkon liberalizim vizash… Kështu, gjyshërit e tij u kujdesën për fqinjët xanxarë, që trembeshin nga djali. Të gjithë ishin dëshmitarë të horronit: mjekët, fqinjët, të afërmit e djalit, banorët fierakë, shteti; policia, pushtetarët lokalë etj. Asnjë prej tyre nuk iu afrua kasolles, për të parë nëse një kupë xingu kishte apo jo ujë të shuante etjen e kësaj qenieje, e detyruar të jetonte në botën e ferrit.
Dje, ata luftuan më zhurmën, me atë zhurmë që prish gjumin e ndonjë pushtetari, e “sulmuan” kasollen, si shkaku i gjithë kësaj komedie të çmendur. Nxorën prej aty 25-vjeçarin, ndërsa... tani flenë të qetë në rehatinë e tyre!

Wednesday, October 14, 2009

Pse dyshoj te shqiptarët...


Nga Anila Prifti



Pse dyshoj, se shqiptarët janë të paaftë, për të qenë pjesëmarrës në Procesin e Ndryshimit? Mos kjo më ndodh, për shkak të vetëmosbesimit apo për shkak të frikës ndaj të panjohurës? Apo nga vetëvlerësimi i tepër kam frikë të besoj te të tjerët? Në fakt, nuk eshtë kështu. Kjo, për shkak se çdo ditë, në 19 vitet e fundit pas diktaturës, për mua ishte e panjohur, e re, e frikshme ose e bukur, me ngjyrë ose pangjyrë. Por edhe rezultatet, në marrëdhëniet e mija profesionale, më kanë treguar të kundërtën. Sikurse nuk jam mosbesuese, derisa transmetoj optimizëm e vullnet apo kërkoj ndihmë e delegoj detyra në çdo sferë të jetës. Nuk dua në këtë shkrim të injoroj bashkëqytetarët e mi. Mospasja i një ideje, për t’u larguar prej këtej, për shkak të këtij dyshimi, apo prejardhja dhe lidhjet e gjakut me shqiptarët e mëdhenj: Fishta e Gazullorët, asesi nuk më orientojnë drejt fyerjes për racën, së cilës i përkas edhe unë. Dyshoj, sepse, si reportere prej 16 vitesh, në bisedë me njerëzit e di që prindi i sotëm, në ankth të pashpjegueshëm për të parë fëmijën duke qeshur, e ushqen me playstation apo, e kundërta, e hedh në rrugë... Shqiptari i sotëm, përherë e me tepër po lobon mes vetes, për të kthyer në kulturë majmunërizimin. Ikën nga origjina, nga traditat, për t’u futur në zhurmën e ditëve moderne, se aty ndihet me i fuqishëm. Ky bashkëqytetar, 50 vjet i këndoi dhe i dhuroi lule udhëheqjes diktatoriale dhe, po ashtu, edhe sot i buzëqesh e i serviret një zyrtari apo pushtetari, për një vizë, si punëtor ndërtimi a pastrimi te fqinjët me kombësi tjetër. E, si të mos mjaftonte ky mjerim deri në vetëdegradim të personalitetit, të mbeturit këtu, me votën e tyre ndërtojnë karrierën jetëgjatë të klaneve mafioze. Fëmijëve të sotëm u dërgohen mësues injorantë e, sikur të mos mjaftojë kjo, u serviren edhe libra demagogjikë. U flitet për të ardhmen, pa të kaluarën. U kërkohet civilizim, jo nëpërmjet njohjes së historisë së vendit e tyre, por me anë të botës virtuale, edhe pse gjysma e popullsisë nuk mund të shlyejë as faturën e energjisë. Por çfarë ndodh me trurin e shqiptarëve? Neurologët e dinë se truri i njeriut ndahet në tri zona a sfera: e mbrapme, e mesme dhe ballore; secila me një funksion të veçantë, por të tria në shërbim të njëra-tjetrës. Ata thonë se një ngacmim hyn në trup, fillimisht nga fijet nervore të shtyllës kurrizore. Prej andej, ato mbërrijnë në zonën e mbrapme të trurit dhe aty shndërrohen në ndjenja, të cilat pastaj hyjnë në zonën e mesme të trurit, ku shndërrohen në emocione. Nga truri i mesëm, emocionet kalojnë në pjesën ballore, ku aty përzgjidhen, frenohen, kontrollohen, përpunohen, zbuten e arsyetohen, para të shprehen, a shfaqen jashtë në formë sjelljeje, me të qeshura a të qara, me butësi a zemërim. Përmes emocioneve, shtrohet rruga midis ndjenjës dhe arsyes. E njëjta gjë ndodh në një shoqëri, ku rolin e pjesës ballore e luan udhëheqja; por kur ajo mungon, është e paaftë, a nuk funksionon, ose e kundërta atëherë dhe shoqëria mbetet “pa frena” dhe e çorienituar. Njerëzit i drejtohen të kaluarës për t’u mbushur me ndjenja, që shndërrohen në emocione, të cilat shprehen të kontrolluara ose të shfrenuara, në varësi të aftësisë së pjesës ballore. Në muzeun Warren, pranë shkollës mjekësore të Universitetit të Harvardit në Boston, ndodhet e ekspozuar një kafkë njeriu, pranë saj një shufër hekuri. Kafka, e ekspozuar në Muzeun e Anatomisë në Harvard është vendosur aty rreth viteve 1870. Ajo dallohet për një vrimë të madhe, që fillon në mollëzën e majtë e del vertikalisht në pjesën e sipërme, të përparme të kokës. Historia ndodh në shtetin e Vermontit, rreth 160 vjet më parë. Në atë kohë, 25-vjeçari Phineas Gage - kafka e tij është e ekspozuar - punonte si përgjegjës në një stacion hekurudhor mallrash. I edukuar, i sjellshëm, drejtuesit e stacionit e mbanin si një nga menaxherët më të mirë e më të suksesshëm dhe të respektueshëm. Phineas ishte edhe shok i mirë. Në mbrëmjen e 13 shtatorit 1848, ndërsa Phineas jepte udhëzimet e fundit dhe bëhej gati të zbriste nga treni, makinisti, që po provonte frenat, shkaktoi një dridhje të fortë të vagonëve. Ai u rrëzua në tokë. Koka i kishte rënë mbi një shufër hekuri, që kishte kaluar tejpërtej nga mollëza e majtë, nëpër sy e për të dalë në pjesën e sipërme të përparme të kokës. Të gjithë menduan se Phineas vdiq. Por ai po merrte frymë; e vunë trupin në një karrocë dhe e nisën urgjentisht në spital. Pas një jave, Phineas doli nga spitali. Plaga i ishte mbyllur dhe ai u kthye në punë. Kaluan vetëm disa ditë dhe ata që u gëzuan mbetën të zhgënjyer. Phineas nuk ishte më ai i para aksidentit. Ai bëhej nevrik, shante, mallkonte, bërtiste dhe shpesh jepte urdhra kundërthënëse. Aq i padurueshëm e i paarsyeshëm u bë, sa e pushuan nga puna. Ai filloi të shkonte nga një spital në tjetrin, por mjekët nuk shihnin tek ai ndonjë problem fizik, as edhe mendor. I thoshin se nuk kishte gjë, si dhe e këshillonin të tregohej më i sjellshëm me të tjerët. Phineas kishte ndryshuar plotësisht, në sjellje e karakter. Filloi jetën e endacakut, nga qyteti në qytet. Në New York, për shembull, ai zinte vend në ndonjë rrugë me shumë kalimtarë dhe, për të fituar disa dollarë, u tregonte atyre se si kishte mbetur gjallë nga aksidenti, edhe pse shufra e hekurit i kishte hyrë nga një anë e i kishte dalë në anën tjetër të kokës. Për të vërtetuar ato që thoshte, Phineas mbante në njërën dorë shufrën e hekurit dhe me tjetrën tregonte vendin bosh, ku më parë ndodhej syri i majtë. Pastaj dora e tij prekte shenjën në faqe dhe gjurmën e vrimës së mbyllur, në pjesën e sipërme të kokës.
Vërtet ne, të jemi një Phineas me shufër hekur e vrimë në kokë?!