Në Vain, aty ku kërkohen eshtrat e Remzi Hoxhës...


Të vjetrit, shfletues librash, tregojnë se, Konti Ciano, dhëndrri i Musolinit, gjuetar i zoti ishte i dhënë pas vendit të quajtur Vain, në perëndim të Lezhës. Aq shumë e dëshironte, saqë edhe kur i nevrikosur vraponte për të vrarë insektet e shpifura, mendonte se si të pushtonte Shqipërinë. Edhe sot gjuajnë në këtë vend me 2200 ha, nga të cilat 200 ha janë mbuluar me bimësi pyjore, 1900 ha sipërfaqe ujore dhe 100 ha tokë bujqësore e urbane. Rezervati i Kune-Vainit është cilësuar si rezervati më origjinal, më i bukur dhe një ndër më të pasurit e pellgut të Mesdheut, edhe pse gjahu i rosave ka rënë. Mbase, për të të treguar një tjetër gjueti, atë të njeriut...
Tabela, që të lajmëron mirëseardhjen e rezervatit, vazhdon të jetë ndanë ndërtesave të betonuara. Polici i pyllit ngre traun me përtesë. Temperatura e lartë ka filluar. Rruga përmes bimësisë, ku makinat këmbehen me vështirësi dhe shoferët shihen sy më sy nuk është aspak e qetë. Kafzhëzat që lanë pas dimrin janë zgjuar. Specie të zakonshme kanë dalë nga zgavrat, pelikanët janë zhdukur dhe çafkat nuk shihen më. Kultivimi i fazanëve me metodën franceze është harruar.
Gjithçka ndryshe. Njerëzit përreth të ngrysur psherëtijnë për mbijetesë. Nuk ka peshkatarë, ka terroristë peshku. Vaini po braktiset, ka vetëm kashtë, kallamishte e njerëz që kërkojnë varre. Magjia e Lagunës është prishur...Për t’u futur në thellësi të Vainit duhet pak kohë. Mes zhuzhurimës të gjallesave në fshehtësi, pluhurit të rrugës, kërcitjes së gurëve, kujtojmë copëza historish të frikshme në këtë vend. Edhe para 90-s, ku këtu ishte ndaluar rreptësisht hyrja për masën dhe shkelej vetëm nga paria e pushtetit; të fshehta të thella thonë se u groposën. Banorët sot kanë humbur kuriozitetin. “Në këto vite shumë varre janë kërkuar këtu, edhe djemtë e Mehmet Shehut erdhën e gërmuan, edhe ata të Luigj Kodhelit ...”, kujton Luigj Cali. Ky burrë me mimikë të çuditshme, tund kokën në shenjë mohimi, si për të thënë “di shumë ngjarje që kanë ndodhur këtej pari, por nuk më duhet gjë....”. Po t’i njohësh mirë, fshatarët lezhjanë janë shumë kuriozë, por ecin si moskovitë. Fshehin egërsisht inferioritetin dhe po më këtë “armë”, me raste, të bëjnë të ndjehesh keq. Të rrinë larg nëse “nuk u shërben për gjë...”. Dhe pse nuk iu intereson kanë dëgjuar për biznesmenin Remzi Hoxha, për torturat në godinën e SHIK-ut që ndodhet në mes pyllit, pranë bregut të detit, jo shumë larg lokalit të Diellës, gruas 55 vjeçe, së cilës ende nuk i ka ikur buzëqeshja prej naiveje, atje ku të gjithë racat e shoqërisë janë takuar të paktën njëherë. Pranë godinës së sekreteve ndodhet një repart ushtarak. Nuk ke kurajo ta shikosh qetë ndërtesën e heshtur, e mbuluar me gjethe. Pak më larg, një urë e vogël me drunj të çon në një kasolle në mes të ujit. Aty sheh burra të vegjël në trup që kontrollojnë të pakënaqur gjahun e natës. Mbledhin ngadalë rrjetat dhe shfryjnë për përdorimin e dinamitit në det. Janë të paktë peshkatarët, të cilët vazhdojnë dalin çdo mëngjes në det dhe përherë me shpresën për të kapur ndonjë peshk të madh. Në pyll, era e detit sjell zërat e rinjve në bregun jo shumë larg këtyre pak objekteve. Plazhi është i zhurmshëm këtë të Shtunë.
“ Një miku im më ka treguar se ai maqedonasi me dy të tjerët u torturua pa pushim, edhe me hekur të nxehtë... Makina nga Tirana vinin e iknin pasditeve vonë. Dikush duhet t’i ketë dëgjuar ulërimat e dhimbjes, por këtu askush nuk flet...”, thotë peshkatari me vështrimin lart, i shqetësuar për pulëbardhat në fluturim, të cilat nuk gjuhen se bien era peshk. Fëmijët në breg, të pafajshëm luajnë, hidhen e kërcejnë. Është kohë dreke dhe nënat duan t’u japin bukën e marrë me vete. Një çift të rinjsh ka guxuar me tepër, pasi vjedhurazi janë ngritur prej rërës së nxehtë. I kanë hedhur krahët në qafë njëri-tjetrit dhe futen në thellësi të pyllit, larg vështrimeve. Pak më tej këmbëve të tyre, një trup i gjymtuar, me kokë të enjtur ose pa kokë fare, me gjoks të çarë e shpërfyturuar, mund të jetë groposur. Për këtë po zhvillohet një gjyq në Tiranë. Të akuzuar, në arrest shtëpie janë ish zyrtarë të lartë të shërbimit sekret në vitin 1995: Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Ilir Kumbaro, Budion Meçe. Eshtë e tepërt t’u flasësh atyre të rinjve në pyll për një fat të tillë, të dikujt që nuk i gjendet varri.
Remzi Hoxha mund të ishte kënaqur këtu në Vain, nëse fati do t’i servirte mundësi ndryshe nga ajo e ditës së fundit për të. Ai, bashkë me dy të tjerë; Ziso Kristopullin e Ardian Loshaj, u morën në rrugë për t’u dërguar në mes të pyllit, në Vain, aty ku nuk ka vesh. Dëshmitë thonë se nuk doli më prej aty. “Nëse e gjitha do të jetë kështu, aty duhet të jetë edhe varri i tij. Nuk kanë patur pse ta nxjerrin të vdekur prej këtej dhe ta hidhnin në një vend tjetër. Shiko se si është këtu në Vain, tokë pa fund, kënetë, det, lum, pyll...”, thotë burri që më në fund ka ngarkuar në motorin e tij të vogël peshkun e zënë gjatë natës. Ai do të dalë në fshatin Ishull dhe nuk do të ndalojë askund për ta shitur. Thotë se ka kapur aq pak, sa i numëron me kokrra dhe e gjithë porosia është blerë me telefon. “Aty është një varrr”, thonë fshatarët. Duket se për ta nuk është asgjë e papritur. Janë mësuar me kërkues varresh këtej pari. Sot, nuk kanë dëshirë të flasin apo të tregojnë, se cili ishte qëllimi i ish-punonjësve të SHISH për zbulimin e mistereve të së kaluarës në lagunën e Vainit. Por, banorët përreth thonë se, pas vitit 1997- të nga shteti (në këtë rast njerëzit e SHISH) është treguar interes për të gjetur varrin e dikujt. Më ekzaktësisht askush nuk di gjë, pas gjatë viteve 97- 98 ka pasur kërkime dhe për eshtrat e dikujt. Një fshatar në Vain mban mend se, disa herë radhazi ka parë grupe njerëzish që pyesnin dhe banorët përreth për histori të së kaluarës. Copëza historish tregohen nga fshatarët me kuriozitet, ndaj dhe edhe ke endje ti degjosh…

Ikim...
Në këtë mbrëmje, kur dielli mbërrin takimin me detin, lëmë pas godinën e mistershme. Duket sikur prej andej vijnë zëra që të ndjekin nga pas, deri larg në dalje të Vainit. Në mendje janë ata peshkatarë, Luigji, fëmijët, çifti por, edhe rënkimet. Eshtë koha kur të gjithë duan të dalin prej andej. Edhe zonja e bukur e lokalit më të dëgjuar në Veri; Diella. Ka përcjellë me buzëqeshje klientët që u ka servirur peshk me shije ndryshe, shpezë që vështirë të jenë të Lagunës dhe nxiton të lërë pas atë ishull. Kur mendon për varre pa emër, ky pyll, kjo rrugë, shkurret me aromë mbrëmje, rezervati, kërcitjet e pemëve të kallin frikën. Joshja e bregut të detit në paqe, të freskët, shpejt u harrua. Eshtë muzg. Kalaja e Lezhës duket fare pak...

18 Maj 2008

Comments

Popular posts from this blog

DOSSIER - Rrëfimi i plotë i Adriatik Colit: Ja si funksiononte Banda e Durrësit

Une bija

Gjon Gàzulli, astronomi dhe diplomati shqiptar i shekullit XV