Gërdec, mallkim i hershëm


Kohë më parë dikush u ka treguar se emri Gërdec vinte nga një sëmundje e vjetër, që edhe të shëmtonte. Nuk e kishin besuar! As se, Gërdec është një mallkim i vjetër. Sot e besojnë të gjithë banorët e këtij fshati! E tregojnë në netët e lagështa, teksa rënkojnë para mureve të rëna. Kërkojnë të dinë më tepër për të, përbri themeleve -rrënoja, ku derdhën gjak e mund. Ishte një sëmundje, ishte dhe një mallkim. Sa kohë duhet të kenë kaluar, kur thuhej "të ka zënë Gërdeci" dhe sa kohë para të mallkonin "të zëntë Gërdeci"? Askush nuk e mban mend. Mallkimi ishte aty, është me ta, e do t'i ndjekë pas... Kështu besojnë të gjallët, pas tragjedisë së 15 marsit në fshatin Gërdec, ku shpërthimi i një depoje municionesh mori 26 jetë dhe la gjysmë të gjallë me qindra të tjerë. La jashtë pa rrugë e dëshirë me mijëra qenie, deri dje udhëtues në atë të quajtur Jetë. Sot, aty dëgjohen rënkime. Dikush ende thërret nga thellësia e gropës së zezë, hapur si gojë e së keqes. S'dihet dhe për sa kohë... Gjurmë gjaku të miturish sheh kudo. Edhe të kërcitura kockash të mallkuara, dëgjon. Paniku ecën në një hap me ty. Të ndjek ngado futesh, mes-përmes egërsirës në gjysmë-gjumë. Mortja ka marrë pamjen e njeriut dhe njeriu atë të mortjes. Kështu është sot në Gërdec, aty ku thuhet se fshati ka emrin e një mallkimi të lashtë....
Banorët e fshatit pas luftës nuk e kujtojnë më ëndrrën e shqiptarëve, për t'iu afruar më shumë botës së qytetëruar. Madje nuk kujtojnë asgjë nga ajo kohë vizionesh. Si në amnezi, kërkojnë një hale dhe pse aty bie veç erë e keqe. Pranvera në Gërdec erdhi e përgjakshme dhe shpendët e zinj, çjerrshëm kalojnë mbi kokat e të mbeturve mbi tokë. Sikur të mos ndodhte ai shpërthim, Murat Sela do të vazhdonte të shtonte dhe një kat shtëpi, do martonte të bijën 18 vjeçe. Po mbase do të kishte kohë të pushonte drekave pas buke. Gjallë, bashkë me fëmijët e gruan, nuk di ç'të bëjë me paratë që i dhanë pasi "hapi dyert vdekjes". Fle ballë përballë me hënën, prek ftohtë fëmijët e zbuluar, ofron këmbët tek thembra-lëvore druri të së shoqes dhe "tretet" në hapësirë.
"S'do të rri më këtu, pres të më japin dhe pjesën tjetër të parave dhe do të iki larg. Aq larg sa mos të ndjej më në hundë erën e zjarrit që shkriu njerëzit-skllevër, të cilët mbushën xhepat e milionerëve me pushtet, e pa pushtet", thotë ftohtë, 50 vjeçari Sela. Ky burrë mendon se nuk ka çfarë të bëjë më këtu, në Gërdec. Ishte në Shkodër, kur u njoftua për shpërthimin që i rrafshoi shtëpinë. "Nuk kisha gjak në trup, nuk merrja frymë, kam ecur me këmbë e duar. Kisha fëmijët dhe gruan. Falë zotit i gjeta gjallë", thotë ky njeri, që nuk di ç'të mendojë më parë, nëse ishte me fat, apo fati e treti në mes të rrugëve. Nuk beson asgjë nga ato çka thuhet e përcillet prej TV-ve dhe gazetave. Jo vetëm kaq, por nuk do të dëgjojë për politikanë e pushtetarë. Hakmarrja po e lodh më tepër se trupi i pamundur. "Ata na vranë, tani na mashtrojnë. Ç'të bëjmë më, në këtë tokë të mallkuar?", dhe pret orën kur do të ikë...Sela nuk është i vetmi banor i gjallë, pas "Hiroshimës shqiptare", që do të "arratiset" përmes natës gërdeciane. Të tjerë, me plagë që ende u rrjedhin, duan të lënë pas gërmadhën, që u la veç shpirtin me dhimbje. Nga mendja nuk do t'u hiqet ai vezullim vrasës. Nuk do të harrojnë se si u vranë, u shkulën, u njollosën, u dhunuan pse ishin të varfër dhe të turpëruar dhe vdiqën duke ngrënë barut.
Ka kaluar një muaj nga dita kur kryeministri i fshatit të vdekjes, premtoi ringjallje. Kjo nuk ndodhi. Mjerimi zë vend në atë çfarë mbeti pas 15 marsit. Banorët e fshatit Marqinet 1 shkojnë çdo ditë për të parë shtëpitë e rrënuara me shpresën për t'i riparuar. Fill pas ngjarjes, kryeministri Berisha tha se brenda 30 ditëve, jeta në fshat do t'i kthehet normalitetit. "Shikoni përreth, çfarë ka këtu që të quhet normalitet. Ne jemi të rrethuar nga gërmadhat, pa ujë, pa drita, jashtë në mes të shiut", thotë Shpëtim Hoxhaj, një i mbijetuar i tragjedisë së Gërdecit. " Isha në banesë, kur plasën predhat. Mora fëmijët dhe ika me vrap", tregon burri, tek rri ulur në cep te murit rrethues të shtëpisë, si të ishte një shpend i trembur. Ai ka frikë, ka frikë edhe të flasë...
Paratë që i janë premtuar për rindërtimin e banesës, nuk i ka marrë të gjitha. "Shtëpia ime kushton më tepër se 25 milion, më kanë dhënë vetëm 10-të. Po pres se na kanë premtuar", thotë ai me gjysmë zëri dhe sheh rrotull, a thua se dikush po e përgjon. Janë të shumtë ata banorë këtu në Marqinet e në Gërdec, që ankohen për vlerën e parave që iu është premtuar nga qeveria. Çdo ditë, pasi vështrojnë gërmadhat, marrin rrugën drejt bashkisë në Vorë. Herë i presin, e herë dyert i gjejnë mbyllur. Atëherë, iu duhet serish të shkojnë tek vendi, që u kujton se dikur kanë pas identitet. Ndezin një zjarr me ashkla të nxjerra nga trarët e thyer dhe sërish udhëtojnë përmes pasigurisë...
Pas Gërdecit gjithçka ndryshoi. Ndryshoi koncepti ynë mbi lirinë, mbi demokracinë e atyre që nuk kujtojnë miliardat e fituara me gjak fëmijësh. Gërdeci dhe viktimat e tij na treguan shumë. Na kujtuan se s'jemi askund dhe se kishim rënë në kurthet e dëlirit. Mbase, Gërdec quhej mallkimi i lashtë...
16 Prill 2008

Comments

Popular posts from this blog

DOSSIER - Rrëfimi i plotë i Adriatik Colit: Ja si funksiononte Banda e Durrësit

Une bija

Gjon Gàzulli, astronomi dhe diplomati shqiptar i shekullit XV