Shkodra dhe Pandemia



 

Por je me fat kur shoferi shkodran të kujtohet për ujin e makinës gati në flakë dhe të hapë krahun në anë të superstradës. Deri atë moment ai nuk e ka ulur asnjeherë muzikën dhe nuk ka pushuar së foluri…




Covid 19. dhe Shkodra

Anila Prifti

 

Epidemiologe e vetme në gjurmim të Covid 19 për 115 mijë banorët e Shkodrës, Dhurata Hysa zbrapset dy hapa. Nënë e një djali dhe e një vajzë, 54 vjeçe, është e bindur që nuk infektohesh nëse do të respektohen masat. Në rajonin me dendësi afro 7 mijë banorë për km katrorë, Hysa kërkon distancim fizik.

“Tani nuk kemi më vatra, por është transmetim komunitar. Personat asimtomatikëjanë evidentë në të gjithë institucionet apo në jetën e përditshme, por ajo që është thënë nuk po zbatohet. Nëse respektohet distancimi fizik dhe maska jo vetëm në ambjentet e jashtme, por edhe në ato familjare shanset për tu infektuar mund të jenë edhe zero” – thotë ajo për “Faktoje”. 

Grua muzikanti kthehet në familje në fund të ditës. Më afër se askush tjetër me të infektuar nga Covidi ajo ndjehet si në garë me me virusin. “Jam mirë, duhet të isha prekur me kohë…”- thotë.

 90 km larg metropolit Shkodra po shikohet si një vatër e nxehtë pas Tiranës dhe Durrësit. Në fazën e parë të prezencës së Covid u identifikuan 100 raste të infektuarish. Por që shumë shpejt u bë shkëputja e zinxhirit te transmetimit të virusit derisa u vendos faza e pauzës me zero Covid. Me daljen nga izolimi i përgjithshëm që javën e parë u shfaqën rastet e reja pranë Shërbimit të Operatorit Shendetësor si dhe tek Infektivi. 

Hysa tregon se gjurmimi ishte i shpejtë, por dendësia e popullsisë dhe neglizhenca  solli një numër të lartë të infektuarish me Covid në qytetin e Shkodrës. Më shumësë 150 janë aktivë në rreth 3 mijë testime. 11 persona kanë humbur jetën. Në këto kushte kërkohet ndihmë për kapacitete kryesisht në burime njerëzore dhe në logjistikë. Sot në Shkodër për pacientët me Covid është vetëm një autombulancë e Urgjencës Kombëtare. Kurse në gjurmim të infeksionit grupi përbëhet nga epidemiologe e vetme, një laborant dhe një asistent .

“E verteta është se virusi asnjëherë nuk kalon. Unë e kam thënë që në fillim, që Covidi do të vazhdojë. Njerëzit u treguan të padurueshëm” thotë Hysa.

 

Pritja e të dyshuarve në spital

 Paniku ka përfshirë popullatën e Shkodrës. Së fundi edhe nënkryetarja e bashkisë rezultoi me pozitiv. Një nga treguesit, është numri i lartë për ndihmë në Urgjencën e Spitalit të referuar nga 127-ta ose mjeku i famiiljes, që edhe pse kanë probleme të tjera në organizmin e tyre, dyshojnë se janë infektuar.  Mbi 50 vetë në ditë, thotë për “Faktoje” drejtori Ardian Dajti.

 I gjithë personeli përqendron vëmendjen  për personat me shenjat e Covid. Protokolli nuk ka ndryshuar, ndiqen po ato rregulla që në fillim të pandemisë. Fillimisht vizitohen nga infeksionistë dhe triazhohen.

Familjarët e të shtruarve janë të shqetësuar.Në pritje të përgjigjes së testit luten për njeriun e tyre.“Kam burrin në oksigjen, kjo është kolere. Nuk dimë gjë akoma çfarë ka. Do mbyllemi brenda, me çfarë do të ushqehemi”, thotë Dile Fizi. Si kjo grua ka shumë njerëz nëpër shkallët e spitalit të Shkodrës. Por ajo që duket si i frikëson më tepër është  karantina dhe jetesa sipas tyre bëhet më e veshtirë.

Nga ana tjetër mjekët janë më të qetë. Asnjë nga personeli i infektuar gjatë këtyre muajve dhe kjo i bënë të prezantohen imunë. “Në qoftë se rasti dyshohet për Covid  bënë një CD skaner dhe shohim nga ana imazherike ka apo nuk ka indikacion, ka apo ska dyshime që ky person është me Covid. Kur nga interpretimet radiologjike është i dyshimtë, kalon te reparti i infektivit te boxet e vecanta. Një person në gjëndje të mirë, merr tamponin dhe pret përgjigjen në shtëpi. Personi që ka oksigjenime të ulta, mbahet në spital, asistohet me oksigjen, me terapi të nevojshme derisa të vijë përgjigjia e tamponit. Nëse është pozitive, pacienti drejtohet për në spitalin Covid në Tiranë. Kur pacienti është mirë pavaresisht se del pozitive, ai trajtohet në shtëpi”, tregon Dajti

 

Frika nga e keqja

 Shkodranët u besojnë më tepër teorive konspirative sesa prezencës së një virusi e prezantuar dhe shpjeguar nga mjekësia.“Po ndodh një gjë e keqe ndër njerëz, por nuk ka Covid”, thotë Mark Gjushi. Nuk di të tregojë çfarë është kjo e keqe dhe pse virusi nuk ekziston, por i pelqen të besojë që “këto lojëra i bëjnë njerëzit e pasur dhe politikanët” .

Për banorët e këtij qyteti ku thashethemi bëhet legjendë për 5 minuta, ajo që ndodh realisht është shumë më e rëndë se Covidi. Janë të paktë në numër ata që ruajnë distancim fizik apo mbajnë maska në ambjentet publike. “Çfarë mbron maska që bëhet me djersë sa ta vendosësh”, thotë  kamarieri në një nga baret në qendër të Shkodrës. Temperatura shënon 36 gradë. Pronari është i shqetësuar për xhiron e ditës “do bëhet me keq…”. “A mbahet maska në këtë temperaturë 24 orë, jo nuk mbahet”, thotë një i moshuar.

Për gazetarin Simon Shkreli gjendja është e rëndë: “Qytetarët nuk respektojnë rregullat, por neglizhencë ka edhe nga autoritetet përgjegjëse. Këtu ka shumë të infektuar”.Të moshuarit besojmë më shumë se të rinjtë në ekzistencën e virusit. “Kam frikë, kam frikë se vuaj jo se vdes”, thotë Gjon Bardhi, një pensionist që të shumtën e kohës jeton në Itali. “Situata në Shkodër ka dalë jashtë kontrollit, përtej hetimit epidemiologjik që deklarohet se bëhet. Nga ajo që zyrtarisht nuk thuhet, por e pranuar nga drejtuesit e shëndetesisë këtu në qark, zinxhiri i infektimit nuk ndiqet i plotë për shkak të mungesës së tamponeve”, thotë gazetari Bepin Kolvata.

 

Telefonata e policisë

 Në mendësi, shkodranët nuk duan të ekspozohen si “spiunë” të policisë. Por të infektuarit me virus i kanë vënë në shenjestër. Edhe pse emrat nuk janë bërë publik nëpër kafenetë ata gjurmojnë të mësojnë cili është i sëmurë. Nëse dikush i dyshuar shikohet në rrugë, njoftojnë menjeherë sallën operative të policisë. “Ka shumë telefonata, disa i bëjnë nga paniku, por edhe kot”, thotë një punonjës i sallës. Në rrethin e gazetarëve qarkullon lajmi që para tre netëve policia ndoqi nëpër rrugica një person me Covid. Dikush në lagjen e tij kishte telefonuar se i sëmuri doli nga shtëpia dhe po pinte kafe me njerëz të tjerë. Viktimë e telefonatave janë bërë edhe persona jo të infektuar. “Nuk kemi mundësi të marrim në vëzhgim të gjithë të sëmurët. Ne japim mbështetje për çdo kërkesë që vjen nga Komiteti i Emergjencave”, thotë Niko Brahimi, Drejtori i Policisë së Shkodrës. Vetë uniformat blu janë duke përjetuar ankth nga Covidi!

 

Beci: Tampon me lekë

 Më shumë se një mijë shqiptarë apo  të huaj që për arsye të ndryshme çdo ditë duan të udhëtojnë nga dogana e Hani të Hotit drejt vendeve të komunitetit Evropian duke pqrdorur aeroportin e Podgoricës në Malin e Zi. Këtu përfshihen  dhe punëtorët sezonalë nga qyteti i Shkodrës. Kjo kategori kërkon tampon çdo ditë. Për t`i dhënë zgjidhje situatës nga Shërbimi i Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër hidhet ideja e tamponëve me pagesë.  “Tamponimi i 48 orëve të fundit për shkak të vonesës nganjëher të përgjigjes apo numrit të tamponëve të mundshëm në ditë  është thuajse i parealizueshëm. Këta persona mund të paguajnë dicka për një shërbim që është i përditshëm dhe që nuk i përket shëndetësisë. Deri tani pagesa e përdorur për tampon ka qenë zero gjatë gjithë kohës, nga tamponi i parë, i dyti, i treti, i katërti deri në negativitetin e përgjigjes për personat. Kjo ka rritur dukshëm koston ditore përsa kohë nuk je i qartë sa kohë duhet të përballemi me këtë lloj situate”, tha për “Faktoje” Astrit Beci, Drejtor i Operatorit të Shërbimeve dhe Kujdesit Shendetësor për Rajonin e Veriut. “Faktoje” mësoi që kërkesa të shumta për testim 48 orësh, bëhen nga biznesmenë dhe tregtarë.

  Më 21 qershor Mal i Zi la kufijtë e hapur vetëm për disa kategori; mjekët, diplomatët apo organizatat ndërkombëtare, ushtarakët, misionet humanitare, kategori të veçanta pasagjerësh në transit, personat që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare në Malin e Zi, si dhe transportin e mallrave. Mbyllja e kufijve tokësorë u vendos për shkak të numrit në rritje të shtetasve të infektuar aktiv në Shqipëri

 

Karantinë në Velipojë?!

 “Faktoje” mori informacion që një familje nga Tirana, pjesëtarët e së cilës rezultojnë pozitive, por asimtomatikë janë karantinuar në Velipojë. Kjo zonë po shikohet si një mundësi për tu relaksuar larg metropolit deri kur të marrin negativen e tamponit. Burimet i thanë “Faktoje” që të karantinuarit kanë lidhje me Shkodrën dhe besojnë më tepër te mjekët aty. “Tiranën e shohin shumë me rrezik, infektimi i personelit mjekësor i ka trembur”, tregon një mjek në Shkodër. Protokolli për ta zbatohet njësoj si me çdo familje apo individ që rezulton pozitiv, por që janë mirë më shendet.

 

Shkodra shumë larg Tiranës

 Në një situatë normale rruga do të përshkohej për një orë e gjysëm, por Shkodra sot është shumë larg Tiranës. Udhëtimi drejt metropolit bëhet çdo ditë dhe më i vështirë.Kryesisht për banorët e periferisë apo të zonave në anë të autostradës. Në autobus për shkak të infeksionit ka shumë pak pasagjerë dhe përfiton kush shkon i pari në qendër të qytetit.

Shoferi i veshur si ushtarak nuk e heq maskën por ai ka frikë kur merr lekët e biletës… “Nuk din njeriu nga i vjen virusi…” ; drejtuesi më i mirë që mund të takoni në kohë të tilla.

Nëse je “pafat” do të presësh në rrugë më shumë se tri orë, deri kur të ndalojë dikush me makinë të vogël dhe paguash dyfishin e vlerës që ke dhënë në janar; bileta Shkodër – Tiranë kushton 12 mijë lekë të vjetra. Nuk bëhet fjalë për distancë dhe do të lutesh që tre pasagjerët e tjerë të cilët vijnë gjatë rrugës të mos kolliten. Por je me fat kur shoferi shkodran të kujtohet për ujin e makinës gati në flakë dhe të hapë krahun në anë të superstradës. Deri atë moment ai nuk e ka ulur asnjeherë muzikën dhe nuk ka pushuar së foluri…




https://faktoje.al/si-po-bashkejeton-shkodra-me-covid-19/?fbclid=IwAR0HvAcUtoOrJexPqDUT2wXtd4yIUATHtOIbPWh2Zowq0i9W7NPs70Xpb2w

Comments

Popular posts from this blog

DOSSIER - Rrëfimi i plotë i Adriatik Colit: Ja si funksiononte Banda e Durrësit

Une bija

Gjon Gàzulli, astronomi dhe diplomati shqiptar i shekullit XV