Wednesday, October 28, 2009

Historia e zinxhirëve dhe modeli presidencial




Nga Anila Prifti

Shqiptarët janë nevrikë. Irritohen njësoj: si kur marrin pjesë në kortezhin e gjatë të një ceremonie varrimi, ashtu edhe pas dyerve të maternitetit, në pritje të lindjes së fëmijës... Portreti i tij sa është i ekzaltuar aq edhe ka mllef.
Kështu, dy ditë më parë, pasi historia e familjes nga Peshkopia bëri xhiro në të gjitha mediet e botës, doli edhe Presidenti Bamir Topi. I irrituar, për mbajtjen lidhur për 20 vjet me radhë të dy vajzave të sëmura në Peshkopi, po aq i shqetësuar u tregua për femrën shqiptare, e cila, sipas tij, tashmë duhet të emancipohet, por edhe të ketë fizionominë e misionares Nënë Tereza. Këtë të fundit po e lëmë ta diskutojmë njëherë tjetër, atëherë kur edhe Presidenti të kujtojë se shoqëria shqiptare, në përqindje më të madhe i përket besimit mysliman e, më këtë tezë të Presidentit të tyre, mund të ndiheshin të fyera. Sikurse po anashkalojmë paralelizmin e tij, midis emancipimin të femrës shqiptare dhe dy femrave në zinxhir(!)
Ndaj, këtë herë po mundohemi të kuptojmë çfarë donte të thoshte presidenti i një vendi me 3.5 milionë banorë, përballë faktit anormal e tragjik të izolimit të dy femrave, ndërsa deklaroi se “kjo është e pafalshme për të gjithë..!”. Sa për të informuar lexuesin, fjala është për një tjetër histori fatkeqe të frikshme në vendin tonë. Pas rastit në Levan të Fierit, të 25-vjeçarit, i cili jetoi për tre vjet më radhë i lidhur në zinxhir, për shkak se gjyshërit kishin frikë mos ai sulmonte në agresivitet fqinjët, një tjetër ngjarje në Maqellarë të Peshkopisë e bëri të flasë publikisht edhe Presidentin. Dy motrat, Thëllënza dhe Fidane Keshi, përkatësisht 47 e 38 vjeçe, të cilat mendohet se jenë të paafta mendërisht, 20 vjet me parë u lidhën nga babai i tyre, Dine Keshi, me pretendimin se, kur të dilnin në rrugë, njerëzia do të tallej me to. Jo vetëm për këtë arsye, por plaku, në kushtet mjerane ekonomike, zgjodhi jetë të re për dy vajzat e tij, pasi do t`i duhej të endej në kërkim të tyre, për shkak të pasojave të sëmundjes, ndërsa i duhej kohë të punonte për të siguruar ushqimin për to. Më pak fjalë, ky fshatar, në kushtet e pamundësisë për të gjetur një strehë a përkujdesje profesionale për të bijat e sëmura, vendosi të jetojë me familjen në një mënyrë krejt të tijën, vetëm pse tashmë rastësisht merrnin frymë, por, si qenie të gjalla, duhej të ushqeheshin, të pinin, të flinin...
Mbase ka ardhur koha kur shqiptarët do të kenë gjithnjë e më shumë hapësirë, për të rrëfyer për vetveten. Dhe jo vetëm se, në këtë rast po i ndihmon Presidenti Topi, por se zbulimi i një rasti të dytë zinxhirësh, vetëm brenda pak ditësh, do të pasohet me pafundësi historish të ngjashme në tërë vendin. Pra, do të kenë rastin të dëshmojnë që e kanë kuptuar se duhet ta njohësh vetveten, më qëllim që më lehtësisht të të njohin e t’i njohësh të tjerët. Ngjarja në Maqellarë të Peshkopisë, apo të tjerat para e pas saj, as më pak e as më shumë dëshmojnë mungesën e institucioneve shtetërore, më së paku prej 20 vitesh. Ato janë dëshmi ende të gjalla, për t`i treguar edhe Presidentit Topi: Po është e vërtetë që kjo është e pafalshme për të gjithë! Por, prej nga ka ardhur Presidenti ynë që, ashtu si edhe shtetarë të tjerë, deri tashmë nuk dinë asgjë ç`ka ndodh në territorin shqiptar, i cili përshkohet deri edhe në fshatin më të humbur brenda 24 orëve?! Thua ,andej nuk bie asnjë rrugë para zgjedhjesh, apo Maqellara është e parëndësishme në vendimmarrje?!
Djali në Levan dhe dy motrat në Maqellarë dëshmojnë forcërisht apatinë shoqërore, por, kryesisht degradimin e shtetit nga qeliza e tij; nga përfaqësuesi lokal e deri te vetë kreu i tij. Siç duket, shqiptarët dhe Presidenti i tyre do të kenë mundësi të tregojnë se, pavarësisht se jetojnë në kalendarin e Internetit, janë të vonuar për të shembur muret e errëta mentale, ato mure që nuk na lejojnë të shohim me qartësi për çfarë jemi, kush jemi...

4 comments:

antoni said...

Mire qe po zbulohen rast pas rasti, kushedi dhe sa te tjere persona fatkeq ka ne kete vend.

Maksim Stafa said...

Anila te pershendet per menyren se si shkruan por do desha qe ne shtyp keto histori te trajtoheshin me me kujdes pasi jane raste fatkeqësie. Kurse presidenti apo ata te tjeret qe bejne edhe gafa publike kur flasin per eshtrat e Ismail Qemalit duhet te zhduken nga ky vend
Suksese!

Maksim Stafa

Mira Prela said...

Pse nuk nderhyn shteti ketu ne Shkoder ka raste te tjera te njerzve te lidhur si ne Fier e Peshkopi. Jo nuk ka shtet jane hajna krejt cka rrijn atje lart

anton said...

Kur Anila shkroi disa vite me pare per nje rast te ngjashme ne Malsin e Lezhes u hapen mjaft debate pse duhej te beshin publik ngjarje te tilla. Ateher une kujtoj nje intervist te A.Priftit e cila tha se edhe pse eshte rast fatkeq duhet qe dikush te shkruaj sepse askush nuk i kthen syte nga keta fatkeq pa bere zhurme. Ashtu me kujtohet kur autorja tha se ky nuk eshte rast i vetem e shteti duhet te nderhyj urgjentinsht pasi ne cdo fshat apo qytet eshte nje histori e permasave tragjike. Autorja u akuzua se po shfrytezonte fatkeqsit per emrin e saj ndonese ajo arriti ta dergoj ate person ne spital pa ndihmen e askujt por me nderhyrjet e njohjet e saj private. Babi i atij femije me ka treguar se si shpetuan nga ferri fal gazetares. Ashtu sic ka mundur te nxjerr femij nga gjakmarrja e qe sot jetojn ne Anlgi e France.
Lexoni rastin e femijes 11 vjec ne Brabullush te Shkodres i cili u vra ne shkoll nga gjaksi i cili do te vriste edhe vellan e tij.Gazetarja e vetme qe arrit te futej ne shtepin e djalit ish autorja qe ne lexojm. Sot ai djali jeton ne Angli ku dhe mbaroi studimet edhe mori edhe familjen duke i shpetuar nga gjakmarrja.

Anila pac vetem suksese ne punen tende!
Me respekt Antoni